“Historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton”
Komisioni i ekspertëve i angazhuar nga Komiteti ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në përbërje të ekspertëve vendor dhe ndërkombëtar, gjatë javës së kaluar kanë zhvilluar vizitat në terren në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, ka njoftuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS) përmes një postimi në Facebook, ku thuhet se “historia e familjes Jashari do të rrëfehet ashtu siç e meriton, në mënyrë dinjitoze dhe me krenari”.
Ekspertë nga fusha e konservimit të trashëgimisë kulturore, arkitekturës, historisë, antropologjisë, ndërtimtarisë dhe peizazhit kulturor, të udhëhequr nga historiania e arkitekturës dhe eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore, Amra Haxhimuhamedoviç kanë zhvilluar vizitë pune në kompleks, duke u takuar dhe biseduar me familjarët, duke parë nga afër vendin dhe mbledhur dokumentacion për të zgjeruar më tej hulumtimin në fushat specifike lidhur me Kompleksin.
Gjatë këtyre vizitave, ekspertët u shoqëruan edhe nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministri i Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, të cilët njëkohësisht janë edhe anëtarë të komitetit ndër-ministor.
Në njoftimin e MKRS-së bëhet e ditur se komisioni i ekspertëve gjatë muajve në vijim do të vazhdojnë me punën në përgatitjen e detyrës projektuese për shpalljen e konkursit për master planin e Kompleksit./21Media