Hoti: Është e qartë se pandemia nuk është nën kontroll, vaksinohuni

Ish- kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka apeluar qytetarët e Kosovës për vaksinim, pasi numri i të infektuarve me Covid-19 është në rritje.
“Shifra prej 1,765 rasteve të reja me covid-19 ka thyer çdo rekord që nga fillimi i pandemisë. Sipas praktikës, me këtë shifër ditore të rasteve të reja, pas disa dite spitalet tona do të jenë të mbushur me pacientë.Është në dorën tonë ta parandalojmë përkeqësimin e situatës. Jeta është mbi të gjitha, para çdo ahengu apo ceremonie tjetër. Jeta jonë dhe e familjarëve e miqve tanë varet nga veprimet tona”, ka shkruar Hoti në facebook.
Tutje, ai ka kërkuar që të respektohen udhëzimet e IKSHP-së.
“Është e qartë se jemi larg përfundimit të pandemisë. Është e qartë se pandemia nuk është nën kontroll, siç deklaronin përgjegjësit për menaxhimin e pandemisë që, në kundërshtim me çdo normë morale, citonin shifrat e të infektuarve dhe vdekjeve kur e morën mandatin me shifrat pas 100 dite të qeverisjes. Masat duhet respektuar. Udhëzimet e IKSHP-së duhet të merren seriozisht. Me sjellje të kujdesshme, ne e mbrojmë familjen dhe miqtë nga infektimi. Nuk na mbrojnë masat e qeverisë si të tilla, sado strikte që të jenë ato, edhe nëse mbushet rruga me inspektorë e policë në mbikëqyrje të masave. Na mbron sjellja jonë në respektim të atyre masave në ambientet ku jetojmë, punojmë e lëvizim çdo ditë. Klinikat duhet të përgatiten për pacientët e mundshëm. Furnizimi me oksigjen dhe barna për trajtim të rasteve me covid-19 duhet të jetë i plotë për pacientët spitalorë dhe ata në shtëpi”, ka shtuar tutje Hoti.
Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit, 5 persona të prekur me Covid-19 kanë vdekur, ndërsa 1 mijë e 765 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 121 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 106 mijë e 278. Në total numri i rasteve aktive është 10 mijë e 183./21Media
Back to top button