Hoti i sigurt se reagimi i Qeverisë për arrestimet në KEK do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE e BE

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti vlerëson se reagimi i pushtetit për arrestimet e djeshme në KEK do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Duke i cilësuar këto reagime si të paprecendent ai është shprehur i sigurt se do të ndodh një gjë e tillë.

“Reagimi i pushtetit për arrestimet e ditës së djeshme në KEK, duke e kritikuar dhe kërcënuar organin e akuzës, e jo duke e mbështetur atë dhe kërkuar drejtësi efektive, do të ketë pasoja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit të sivjetmë në Këshillin e Evropës e nesër në Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se raporti për vendin i BE-së dhe raporte të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të evidentojnë me notë shumë negative këtë sjellje të mazhorancës në Kosovë ndaj arrestimeve të lidhura me afera të mundshme korrupsioni. Këto reagime duhet thënë se janë të paprecedent. “, shkruan Hoti në Facebook.

Më tej ai ngriti disa pyetje, duke thënë se sjellja e Qeverisë vë në pikëpyetje reformën për drejtësi.

“Pse gjithë kjo frikë nga hetimi i aferave të mundshme korruptive? Pse sulmohet organi i akuzës nga Prishtina e nga Tirana, e nuk dënohet akti i mundshëm korruptiv dhe nuk kërkohet drejtësi? A mos janë këto afera të mundshme korruptive të lidhura me persona më larg dhe më lart?Kjo sjellje vë në pikëpyetje “gjoja” reformën në drejtësi. Me këtë sjellje kjo mazhorancë e ka humbur besueshmërinë për çfarëdo reforme që tenton të bëjë në drejtësi. “, vijon Hoti.

Po ashtu ish kryeministri Avdullah Hoti tha se një pushtet që tenton të pengojnë drejtësinë e minon demokracinë.

“Të gjithë ne duhet të tregojmë respektin dhe përkrahjen tonë për zyrtarët e drejtësisë për veprimin e tyre në ndalimin e akteve të mundshme jo ligjore në KEK. Me këtë veprim po tregohet se drejtësia në Kosovë është funksionale, e pa ndikueshme dhe e guximshme. Sigurisht se secili është i pafajshëm derisa të provohet ndryshe. Respekti i politikës ndaj drejtësisë tregohet me përkrahje dhe me kërkesë për drejtësi. Respekti tregohet edhe duke mbajtur gojën mbyllur”, përfundoi Hoti.

Dje është arrestuar drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi. Prokuroria ka njoftuar se i njëjti është arrestuar për shkak të dyshimit se ka kryer “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” , “Ushtrim i ndikimit” dhe “Konflikt i interesit”./21Media

Back to top button