Hoti: Parashikimi ekonomik për vitin 2023, s’është më i mirë se ai i vitit 2022

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë pjesës së parë të mandatit qeverisës, Qeveria Kurtit, nuk ka bërë punë efektive sa i përket punësimit, uljes së inflacionit apo rritjes së ekonomisë.

Përmes një statusi në “Facebook”, Hoti ka shkruar se viti që kaloi u përshkua me mungesë të qeverisjes efektive derisa sipas tij një parashikim i tillë shihet edhe për vitin 2023.

“Kaloi gjysma e mandatit qeverisës dhe asnjë shenjë nuk e bëri në ekonomi qeveria e “punësimit dhe drejtësisë”. Viti 2022 u përshkua me mungesë të qeverisjes efktive, e cila do t’i mbronte qytetarët nga inflacioni dhe do të promovonte zhvillim ekonomik. Parashikimi për vitin 2023 po ashtu nuk është më i mirë.

1. Rritja ekonomike më 2022 prej 3.5 për qind erdhi nga rritja e konsumit privat dhe eksporteve, e jo nga investimet publike apo private. Në fakt, më 2022 bruto investimet kapitale kanë rënë për -6.9 për qind dhe konsumi qeveritar ra për -0.8 për qind, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike.

2. Inflacioni, i cili arriti kulmin në 14.2 për qind në korrik 2022, erdhi si rezultat i rritjes të kostos së transportit, çmimit të energjisë dhe çmimit të ushqimeve. Situata nuk u menaxhua si duhet nga Qeveria pasi ngarkesat tatimore mbetën të pandryshuara. Jo vetëm që nuk e suspendoi akcizën në naftë për një kohë, por Qeveria nuk e uli as TVSH-në Nga 18% në 8% për disa artikuj ushqimor shtesë, edhe pse këtë ia mundësonte ligjin për TVSH-në. Si rezultat, Qeveria mblodhi qindra miliona euro TVSH nga rritja e çmimeve të naftës, energjisë dhe ushqimeve. Për pasojë, bilanci bankar i Qeverisë gjatë vitit 2022 ishte tepër i lartë. Pasi ato mjete nuk u shpenzuan në investime kapitale, ato u zhvlerësuan nga inflacioni.

3. Eksportet u rritën me 27%, por për shkak të bazës së ulët nuk kishin efekt të ndjeshëm në uljen e deficitit tregtar. Në anën tjetër, importet u rritën me 22%, dhe për shkak të madhësisë së tyre, deficiti tregtar u thellua edhe për 1 miliardë euro. Kjo është indikative se në tregun vendor ende nuk ka rritje substanciale të prodhimit vendor, siç trumbetohet nga qeveritarët”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Back to top button