Hoti përshëndet zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë se Veriut

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti ka përshëndetur zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut.

“Me rastin e zgjedhjes së Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, kam kënaqësinë t’i shpreh urimet e mia më të sinqerta kryeministrit Zoran Zaev, kabinetit të tij qeveritar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në mesazhin e urimit të Hotit.

I pari i Qeverisë së Kosovës u shpreh i bindur se marrëdhëniet bilaterale Kosovë-Maqedoni do të vazhdojnë të forcohen, siç thotë Hoti në bazë të marrëdhënieve historikisht të afërta dhe miqësore ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve tanë.

“Qeveria e Kosovës, dhe unë personalisht, mezi presim që të punojmë me Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut për ta thelluar edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ne jemi të vendosur të përqendrohemi sidomos në rritjen e bashkëpunimit tonë bilateral ekonomik që duhet të përputhet me marrëdhëniet e shkëlqyeshme politike ndërmjet të dy vendeve tona”, ka thënë tutje Hoti.

Mbrëmë me 62 vota “për”, 51 “kundër” dhe asnjë të “përmbajtur” u zgjodh qeveria e Maqedonisë së Veriut me kryeministër Zoran Zaev./21Media

Back to top button