Hoti tregon se çfarë do të diskutohet nesër me palën serbe

 

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot u shpreh se nesër do të takojnë palën serbe për të biseduar për për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Siç theksoi Hoti në facebook, marrëveshja do të arrihet vetëm atëherë kur tërmbyllet me njohje reciproke.

“Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga Presidenti Makron dhe Kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë.”, shkroi Hoti në facebook.

Sipas Hotit, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euro-atlantik të të gjithë regjionit.

“Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura.”, shkroi më tutje Hoti.

Kryeministri, po ashtu, sot informoi se nesër në Bruksel do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Kosova është e bekuar me miqtë e saj, në të dy anët e Atlantikut”, shtoi më tej Hoti./21Media

Back to top button