Hoti: Videoja fashizëm politik, Vetëvendosja e ka prekur fundin tashmë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas publikimit të një videoje nga Lëvizja Vetëvendosje, ku ajo ka akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje ndërsa sindikatat i ka quajtur partiake.
Hoti ka thënë se “sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik”.
Ai tutje ka thënë se në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që e presin vendin, “këta duan t’i ikin përgjegjësisë”.
“Sjellja e partisë në pushtet, me video montazhe plot shpifje, është fashizëm politik — urrejtje e tjetrit vetëm se i përket një grupi tjetër politik. Fundi i çdo lloj fashizmi dihet. Në kohën kur duhet punuar në krijimin e unitetit politik për sfidat që na presin, këta duan t’i ikin përgjegjësisë. Në kohën kur delegacioni i lartë i partnerëve kryesorë të Kosovës zbarkon në Prishtinë, me të cilët duhet të ulen e të dakordohen të gjitha partitë politike, këta të pabesë nxisin urrejtje politike dhe pamundësojnë koordinimin e nevojshëm politik. Propaganda shpifëse dhe mashtrimi nuk po kryjnë punë më. Fundin e keni prekur tashmë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video përmes së cilës promovon sukseset e Qeverisë Kurti. Në videon e postuar në faqen zyrtare në Facebook të Lëvizjes Vetëvendosje, tregohet se “Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”. VV tregon punën e Qeverisë Kurti, por edhe sulmon pushtetin e kaluar në Kosovë./21Media

Back to top button