KEDS-i mohon se ka filluar me reduktime të rrymës

Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) ka reaguar ndaj raportimeve se nga sot, fillojnë reduktimet me rrymë në Kosovë, që thuhej se do të zgjasnin deri në 7 orë.
KEDS-i ka mohuar se ka nisur me reduktime të rrymës sot.
Nga KEDS-i është thënë se as nuk ka njoftuar se do të fillojnë reduktimet dhe as që kanë filluar ato. KEDS ka thënë se ndërprerja e rrymës në disa zona për shkak të punimeve, nuk mund të interpretohet si reduktim.
“KEDS nuk kishte njoftuar që do të fillojnë reduktimet dhe as që kanë filluar ato. Punimet e planifikuara nuk guxojnë në asnjë rrethanë të interpretohen si reduktime. Sepse, në punime të planifikuara zakonisht përfshihet një numër shumë i vogël i konsumatorëve, ndërsa pjesa tjetër nuk ka kurrfarë ndërprerje. Pra, sot nga mbi 650 mijë konsumatorë, janë duke u furnizuar pa asnjë ndërprerje 99,99 për qind e tyre, ose vetëm 118 nga ta kanë ndërprerje të planifikuar për shkak të punimeve të domosdoshme, pasi dihet që nuk mund të intervenohet nën tension, e në asnjë rrethanë reduktime”, thuhet në reagimin e KEDS-it.
Tutje në reagim thuhet se “KEDS dënon çdo propagandë që frikëson konsumatorët se gjoja do të kenë reduktime, kur ata nuk kanë”.
“Gjendja me furnizim me energji, që nga hyrja në dimër, është shumë stabile dhe KEDS nuk ka aplikuar reduktime për asnjë konsumator si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Pra, furnizimi është jashtëzakonisht stabil, përkundër faktit që gjendemi në situatë emergjente dhe shumë të paparashikueshme. Korporata i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës që nëse vije deri tek përkeqësimi i situatës do t’i njoftojë me kohë dhe me transparencë të plotë. Me këtë rast bëjmë apel tek të gjithë qytetarët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, ndërsa kërkojmë nga të gjitha mediat që të japin ndihmesën e vet në lehtësimin e krizës, pasi vetëm të bashkuar të gjithë mund t’ia dalim më lehtë”, thuhet në reagim./21Media

Back to top button