Hovenier: SHBA-ja dhe Finlanda prej kohësh partnere të ngushta në Kosovë

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka uruar Finlandën për anëtarësimin në NATO.

Në Twitter, Hovenier ka shkruar se SHBA-ja dhe Finlanda kanë qenë prej kohësh partnere të ngushta në Kosovë.

Tutje ai ka shkruar se mezi pret të thellojnë partneritetin.

“Urime dhe mirëseardhje për Finlandën, aleatin tonë më të ri. SHBA-ja dhe Finlanda kanë qenë prej kohësh partnerë të ngushtë në Kosovë, duke përfshirë edhe si pjesë të KFOR-it – misionit të NATO-s. Mezi presim të thellojmë partneritetin tonë. Ne jemi NATO. Së bashku më të fortë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Finlanda është emëruar zyrtarisht anëtari i 31-të i NATO-s, duke shënuar një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë në Evropën verilindore që shton rreth 1,300 kilometra në kufirin e aleancës me Rusinë.

Pranimi i Finlandës në aleancën e sigurisë të udhëhequr nga SHBA paraqet një goditje për presidentin rus Vladimir Putin, i cili prej kohësh kërkon të minojë NATO-n dhe përpara se të pushtonte Ukrainën, kërkoi që blloku të përmbahej nga zgjerimi i mëtejshëm.

Në vend të kësaj, pushtimi i shtyu Finlandën dhe Suedinë e jo-angazhuar të braktisin neutralitetin e tyre dhe të kërkonin mbrojtje brenda NATO-s, megjithëse përpjekja e Suedisë për t’u bashkuar me bllokun është ngecur nga anëtarët e aleancës, Turqia dhe Hungaria./21Media

Back to top button