​Hovenier: Ta hedhim poshtë narrativen që përjashton personat me aftësi të kufizuara

Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier në Kongresin Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, ka deklaruar se organet qeveritare duhet të përfshijnë edhe shqetësimet e personave me aftësi të kufizuar.
Hovenier në këtë kongres tha se ShBA ka për qëllim t’i ndihmojë personat me aftësi të kufizuar në Kosovë.
“SHBA me vite të tëra është përpjekur që ta promovojë vlera të caktuara të mundësive të barabarta. Nuk mund të them se kemi qenë shumë të suksesshëm por mund të them se ato janë vlera të cilat i inspirojmë. Edhe ne kemi këtë qëllim për t’i ndihmuar personat me aftësi të kufizuar në Kosovë që ta jetojnë jetën me dinjitet. Është mirë që t’i kemi ligjet por është e rëndësishme që të zbatohen ligjet, ne jemi të zotuar për ngritjen e kapaciteteve, jemi të përkushtuar edhe për avancimin e të drejtave. Qeveritë në gjithë botën duhet të kenë reforma që janë përfshirëse në këtë aspekt. Organet qeveritare duhet të përfshijnë edhe shqetësimet e personave me aftësi të kufizuar. Duhet ta hedhim poshtë narrativen që përjashton personat me aftësi të kufizuara, të shmanim ato narrativat që mund të jenë të keqardhjes që nënvlerësojnë kolegët”, tha Hovenier.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, nën patronatin e së cilës po mbahet Kongresi Botëror për Personat me Aftësi të Kufizuara, “Bashkë për gjithpërfshirje dhe prosperitet”, është shprehur e lumtur që në këtë kongres po marrin pjesë 31 delegacione nga të gjitha vendet e botës.
“Në cilësinë e Ambasadores në Komisionin Ndërkombëtar kam udhëtuar në çdo cep të botës dhe jam jashtëzakonisht e lumtur që në çdo vend jam pritur mirë duke treguar historinë e Kosovës. Këtë vit doja që jo vetëm unë të isha pjesë e botës por bota të ishte pjesë e Kosovës”, tha Shala.
Shala tha se qëllimi i udhëtimeve që ka bërë ka qenë të marrë ide nga vendet më të zhvilluara të botës dhe t’i praktikojë në Kosovë.
“Ideja kryesore e gjithë këtij kongresi ka qenë të marrim praktika nga vendet me të zhvilluara në botë dhe t’i sjellim në Kosovë që t’i mundësojmë personave me aftësi të kufizuara një jetë të drejtë. Ndoshta dikujt mund t’i duket sfiduese ta sjellim botën më Kosovë, mirëpo nuk kam lenë gurë pa lëvizur që kjo ngjarje të ndodhë”, shtoi Shala.
Kryetari Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca këtë ngjarje e ka vlerësuar si formën më të mirë për ta mbyllur këtë vit.
Konjufca tha se sfidat e përditshme të personave me aftësi të kufizuar kërkojnë adresim dhe zgjidhje institucionale në shumë fusha.
“Kjo ngjarje është forma më e mirë për ta mbyllur këtë vit i cili është shpallur vit për personat e kufizuar. Sfidat e përditshme kërkojnë adresim dhe zgjidhje institucionale në shumë fusha, në fushën e të drejtave të tyre, qasshmëri në infrastrukturë, barazi në punësim, sigurim social dhe kujdes shëndetësor. Kurse një aspekt esencial që duhet luftojmë së bashku është t’i ndalim paragjykimet për personat me aftësi të kufizuar”, tha Konjufca.
Ai shtoi se ligjet që janë për personat me aftësi të kufizuara nuk zbatohen në praktikë, derisa kërkoi që të gjitha ligjet për këta persona të respektohen.
“Shumë shpesh na rastësisht të dëgjojmë se në Kosovë ka ligje të mira por në praktikë hasim në vështirësi për t’i zbatuar dhe kjo është e vërtetë, këtë e konfirmon edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian, dhe jam i bindur që numri i të punëtorëve nuk është në përputhje me numrin e ligjit që e kemi në fuqi”, shtoi Konjufca.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz në emër të kryeministrit të vendit, Albin Kurti ka përshëndetur gjithë të pranishmit, duke thënë se për shkak se nuk ndodhet në vend, nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në këtë kongres.
Schwarz para të pranishmëve premtoi se përkushtimi në këtë fushë nuk do të dobësohet por do të forcohet më shumë.
“Në secilin segment duhet të shtojmë më shumë përpjekje tona dhe një gjë të tillë duhet ta bëjmë. Është e drejta e familjeve dhe detyra jonë se jo vetëm si qeveri por si shoqëri të bëjmë çfarë të mundemi t’i ndihmojmë çdo njeri që ka nevojë për kujdes të veçantë. Mund të premtojë se përkushtimi ynë në këtë fushë nuk do të dobësohet por do të forcohet”, tha Schwarz.

Back to top button