Hoxha: Zero tolerancë ndaj dhunës në familje

”Dhuna në familje, padyshim është një nga fenomenet më të shëmtuara dhe paralizuese, për trajtimin e së cilës ndërmerren përpjekje të vazhdueshme”

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në lansimin e Strategjisë Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, si dhe Planit të Veprimit 2016 -2020. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar këtë Strategji si shumë tё rëndësishme pёr vendin. “Dhuna në familje, padyshim është një nga fenomenet më të shëmtuara dhe paralizuese, për trajtimin e së cilës ndërmerren përpjekje të vazhdueshme edhe në nivel ndërkombëtar. Si dukuri e përhapur në mbarë botën, në trajta dhe përmasa nga më të ndryshmet dhe e ushqyer nga zakone dhe tradita patriarkale të dominimit dhe kontrollit, shpesh përbën edhe shkakun kryesor të dëmtimeve deri edhe të humbjeve të jetëve njerëzore”, theksoi Hoxha.

”Është tejet shqetësues numri i madh të rasteve të dhunës ndaj grave, ku statistikat tregojnë se pikërisht janë gratë ato që preken nga format e dhunës në familje, duke përfshirë edhe dhunën psikologjike, ekonomike dhe atë fizike. Si më e ndjeshme konsiderohet kur personat me nevoja të veçanta rezultojnë gjithashtu të jenë të rrezikuar nga dhuna që ushtrohet në familje, krahasuar me anëtarët e tjerë të familjes, pikërisht për shkak të gjendjes së tyre. Po ashtu, personat e komunitetit LGBT përbëjnë një tjetër grup të rrezikuar për të pësuar dhunë në marrëdhëniet familjare.”, theksoi Ministrja duke shtuar se përveç dhunës së ushtruar ndaj grave dhe të moshuarve në familje, edhe fëmijët si vajzat ashtu edhe djemtë janë viktima të dhunës në familje.

Ministrja Hoxha theksoi se deri më tani është krijuar një bazë solide ligjore duke përfshirë këtu edhe ligjin për Kompensim të Viktimave të Krimit që parasheh veprat e caktuara që hyjnë në kategorinë e veprave të kompensueshme, për të cilat viktimat e krimit mund të parashtrojnë kërkesë për kompensim, këto dispozita rregullojnë ndër të tjera dhe çështjen e dhunës në familje. Po ashtu, me propozim të MD-së, është emëruar nga Qeveria “Komisioni për kompensimin e Viktimave të Krimit”, si dhe janë përgatitur edhe draftet e udhëzimeve administrative.

Ndryshe, veprimet e dala nga kjo strategji, përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe zbatimi i tyre bie nën autoritetin e ministrive dhe agjencive. Andaj, siç ceket në komunikatë Hoxha kërkoi bashkëpunim në mënyrë që të gjitha veprimet e kësaj strategjie të jetësohen në mënyrë sa më efektive./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button