Hoxhaj: Kryesia po diskuton së çfarë opozite do të bëjë PDK-ja

 

Në paraditen e së martës është mbledhur Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Mbledhja e tretë e kryesisë që nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit po mbahet për të diskutuar për qëndrimin e PDK-së në opozitë. Kështu deklaroi ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili mohoi edhe se ka pakënaqësi brenda kësaj partie dhe se do të ketë dorëheqje sikurse është përfolur.

Ndërkohë që ai ka paralajmëruar se të mërkurën do të mbahet mbledhja e Këshillit Drejtues të kësaj partie.

“Është mbledhja e tretë pas rezultati zgjedhor të 14 shkurtit, është mbledhja e rregullt e Kryesisë së PDK sikurse është e menduar edhe që nesër të jetë mbledhja e Këshillit Drejtues në të cilën ne do të diskutojmë mbi një temë të vetme dhe tema e vetme është se si Partia Demokratike e Kosovës të përgatitet për zgjedhjet lokale, kjo qëndron, kjo është, kjo do të ndodhë. Prej 14 shkurti ne kemi një debat të hapur me PDK rreth rezultati zgjedhor, se si të sillemi si pozitë, çfarë opozite do të bëjë PDK. Ju i keni parë 10 qëndrimet që kam plasuar publikisht para zotit Kurti kështu që qëndrime të tilla diskutohen në kryesi e Këshilli Drejtues. Çfarë opozite do të bëjë PDK gjatë një mandati qeverisë, cila do të jetë platforma jonë politike, çfarë lloj politike të re do të bëjmë, çfarë lloj organizimi do të bëjmë, çfarë raporti do të kem me media e shoqëri civile gjitha këto janë tema të cilat i diskuton një parti politike pas rezultati zgjedhor”, tha Hoxhaj para se të hynte në takimin e Kryesisë së PDK-së.

Hoxhaj mohoi se do të ketë dorëheqje të kryesisë së PDK-së.

“Unë ua them me sinqeritetin më të madh se nuk ka asgjë tjetër, ju mund të qëndroni tërë ditën […]Nuk është temë e askujt, mund të iu sjellë nga një kafe, çaj sikurse Boris në stilin e vet që e ka partner mediat, por kjo është”, tha ai.

Back to top button