Hoxhaj: Osmani aderoi në VV, është koalicion për poste e karrige

 

 

Kandidimin e Vjosa Osmanit në një listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj sot e quajti aderim për poste dhe karrige.

Hoxhaj njëherësh kandidat për kryeministër deklaroi se sikur edhe koalicioni LDK – VV dikur, do të mbetet vetëm fusnotë e turpshme në historinë e partive politike të Kosovës.

Në një konferencë për medie, Hoxhaj tha se i vetmi subjekt politik që ofron program të mirëfilltë qeverisës është Partia Demokratike e Kosovës.

“Zonja Osmani thjesht aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe tregoi që ky koalicion nuk është për qytetarët. Por, është koalicion për poste, për karrige, diçka çka në të kaluarën të dytë e kanë kundërshtuar si kulturë politike në Kosovë. Unë nuk kam dëgjuar se kanë pika të përbashkëta programore, dhe i vetmi subjekt politik i cili në këto zgjedhje garon me program të qartë… ringritjen e Kosovës si shtet në hartën ndërkombëtare, është PDK… Ata të cilët pretendojnë që ishin koalicion i shpresës, kësaj here kanë ndarë vetëm karriget dhe postet se ku do të ulen. Unë jam i sigurt që vota do të jetë për PDK-në, që unë do ta udhëheq qeverinë e Kosovës dhe se ky koalicion i karrigeve të ndara do të mbetet vetëm fusnotë e turpshme në historinë e partive politike të Kosovës”, tha Hoxhaj.

Ndryshe, kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj sot prezantoi aderimin e ish-ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqit në PDK. Ai e quajti Bytyqin njërin nga ministrat më të mirë që ka pasur Kosova.

Back to top button