Hoxhaj: Zgjedhja e kryetarit të ri s’është përpjekje për ta zëvendësuar kryetarin që e kemi në Hagë

 
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se zgjedhja e kryetarit të ri nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar liderët apo kryetarin e kësaj partie që është në Hagë.
Sipas tij, kryetari i ri është një mesazh se vetëm një PDK e fortë dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më e fortë.
“Zgjedhja e kryetarit të ri nuk është përpjekje për t’i zëvendësuar liderët apo kryetarin që kemi në Hagë, por një mesazh se vetëm një PDK e fortë, e fuqishme politikisht dhe me mbështetje të madhe në Kosovë do të thotë edhe UÇK më e fortë, me udhëheqësit e saj më të fuqishëm dhe shtetin e Kosovës të përmbushur”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Hoxhaj ka thënë se për 8 muaj si ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, ka kaluar një përvojë të jashtëzakonshme politike e personale.
“Vendimi i javës që shkoi për ta shpallur Konventën zgjedhore të partisë, është përcjellë sot me ofrimin e dorëheqjes time si Kryetar në detyrë dhe kryesisë aktuale të partisë. Kjo është një normë statutare dhe demokratike për t’i hapur rrugë organizimit të mirëfilltë të Konventës më 3 korrik.  Përgjatë tetë muajve të ushtrimit të kësaj detyre, një përgjegjësi që m’u besua pa dëshirën time dhe tonën, por si rezultat i arrestimit të udhëheqësve tanë, Kryetarit Veseli e Presidentit Thaçi, kam kaluar nëpërmjet përvoje të jashtëzakonshme politike e personale”, ka thën tutje Hoxhaj.
Ai falënderoi të gjithë anëtarët për mbështetjen, duke thënë se në angazhimin e tij politik çdo herë ka qenë vetvetja.
Sot Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka dhënë dorëheqje para zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë në zgjedhjet që do të mbahen më 3 korrik./21Media

Back to top button