Ikja e fuqisë punëtore, ekonomistët: Qeveria të dalë me strategji konkrete të parandalimit

Largimi i punëtorëve jashtë vendit pas liberalizimit të vizave ka detyruar bizneset në Kosovë që të shqyrtojnë rritjen e pagave. Afaristi, Ramiz Kelmendi, rritjen e pagave e konsideron reagim pozitiv, por konsideron kjo do të ndikojë në rënie të investimeve kapitale.

Kryetari i Sindikatës së Puntorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë për rtv21 se mungesa e fuqisë punëtore do të ndikojë në vetëdijësim të pronarëve për rregullimin e kushteve të punës, ndonëse largimin e punëtorëve jashtë e konsideron alarmante.

“…unë kam thënë se gjatë vitit 2024 do të ikin dikund rreth 140 deri në 150 mijë punëtor por megjithatë shifrat e para janë shumë më alarmante të cilat shpresojmë të mos dalin, sepse ne kemi info që vetëm në muajin Janar në vijë ajrore ose përmes aeroportit kanë kalu mbi 230 mijë persona, ndërsa në vijë tokësore mbi 150 mijë. Që i bjen rreth 400 mijë, nëse e marrin se rreth 200 mijë janë kthy në vendin e tyre të punës, 100 mijë kanë shku tek familjarët e tyre, rreth 100 mijë persona për herë të parë kanë lëshu Kosovën dhe ndoshta kështu po themi se pjesa dërrmuese e këtij 100 mijëshi, kanë shku me një synin që të mbeten dhe të mos kthehen më fare megjithatë të dhëna të sakta për punëtorët se sa kanë ikë do t’i kemi në fund të marsit, sepse hyjmë në periudhën që ata që kanë ikë, bëjnë kontratë pune…”, thotë Azemi.

Në kontekst të këtyre zhvillimive, njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se Qeveria duhet të hartojë strategji konkrete për të parandaluar ikjen, duke propozuar ligjin për sigurime shëndetësore.

“…duhet të kuptohet që efektet e braktisjes janë të shumta, në rend të parë do të kemi mungesë të fuqisë punëtore, në rend të dytë një ndër indikatorët kyç që është ndërtuar ekonomia kosovare është konsumi, dhe do të kemi ramje të konsumit, në rend të tretë jemi të varun nga importi i fuqisë punëtore dhe shumë dukuri të tjera që shumë me tepër do ta dëmtojnë Kosovën sesa që do ta ndihmojnë dhe kur krejt kësaj i shtohet që pjesa dërrmuese e të huajve që vijnë në Kosovë destinacion e kanë Evropën dhe jo Kosovën, është brenga më e madhe…”, tha Gërxhaliu

Ndërtimtaria dhe gastronomia janë ndër fushat më të prekura nga liberalizimi i vizave, ndërsa punëtorët e këtyre dy sektorëve në vazhdimësi kanë shprehur  pakënaqësi për pagat dhe kushtet e punës./RTV21/21Media

Back to top button