Vazhdon përplasja mes institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për dinarin

Kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare për  shtyrjen e vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, Banka Qendrore njoftoi se përiudha tranzitore për këtë çështje do të zgjasë tre muaj me qëllim informimi të komuniteteve të caktuara.

“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion.”, thuhet në njoftimin e BQK-së

Por, me planin 10 pikësh të Bankës Qendrore dhe afatin tremujor të tarnzicionit nuk është pajtuar bashkësia ndërkombëtare, duke thënë se këtu ka rëndësi plani i saktë se si serbët lokal do t’i marrin pagesat e tyre nga Serbia, të garantuara me planin e Ahtisarit. Në këtë kontekst, emisari i SHBA-së, për Ballkanin perëndimor Gabriel Escobar, tha se nuk duhet të ketë veprime të një anshme nga Kosova, sepse mund të ketë pasoja.

“Besoj që ishim shumë të qartë në këtë. Duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe gjithashtu duhet të komunikohet me kohë të mjaftueshme dhe lajmërime të mjaftueshme te popullata e prekur. Dhe ne qëndrojmë gati që të ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin këtë çështje, por të dy [vendet] duhet të kthehen në dialog dhe të respektojnë marrëveshjet ekzistuese”, ka deklaruar Escobar.

Nga këndvështrimi i analistes, Alma Lama, vendimet e BQK-së, nuk janë serioze, sepse ato mund të provokojnë sigurinë në Kosovë.

“ Pavarësisht se janë të drejta këto vendime ato duhet të ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë në mënyre që të mos prodhohen konsekuenca shumë më të rënda:::vendime populiste për arsye elektorale vetëm e vetëm për ta joshur elektoratin dhe mendoj që bashkësia ndërkombëtare i kupton këto veprime dhe me të drejtë janë të irrituar sepse po ta kishte qëllmi luftimin e krimit qeveria do të bashkëpunonte me bashkësinë ndërkombëtare.”, tha Lama.

Duke marrë si shkas seancën e KS të OKB-së për Kosovën, e cila u thirr pikërisht për çështjen e dinarit, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë për rtv21 se diskutimi në OKB nuk shkon në favor të Kosovës.

“Përveç vendeve që janë kundër shtetit të Kosovës në këshllin e sigurimit i patëm kundër edhe aleatët tanë siç janë SHBA-ja, Anglia pra këtë çështje e përdori mjaft mirë Serbia dhe doli fituese në sy të ndërkombëtare me këtë rast i nxorri serbët e veriut në protestë për të për çështjet e nacionalizmit serb madh…”

Për çështjen e dinarit të hënën serbët në veri mbajtën protestë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të BQK-së për ndalimin e kësaj valute për përdorim në territorin e Kosovës./RTV21/21Media

Back to top button