IKSHPK bën thirrje për vaksinim e bartje të maskave

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen dhe ta bartin maskat, pasi që dy variantet e Omicron (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen me pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve dhe me raste fatale.
“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftim.
Sipas IKSHPK-së, situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Europë dhe në botë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19 dhe parandalimin e valës së re. Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska!”, thuhet më tej në njoftim.
IKSHPK ka apeluar për vaksinim gjithashtu, duke thënë se është mënyra më e sigurt për ta parandaluar përhapjen e virusit.
“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare. Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me  dozën pērforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen! Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button