Inspektoriati Policor tregon motivet e vrasjes në Gjilan

Policit të dyshuar i gjenden dy armë në veturë

Inspektoriati Policor i Kosovës ka bërë të ditura arsyet të cilat dyshohet se kanë shtyrë në vrasjen e një personi në Gjilan.

“Bazuar në hetimet preliminare, dyshohet se personi i dyshuar V.H (pjesëtar i Policisë së Kosovës nga Njësiti për mbrojtje të afërt), pas një mosmarrëveshje lidhur me një aksident ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës. Si pjesë e procedurës hetimore IPK ka konfiskuar një armë GLOCK 9×19 që dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast dhe një karikator. Në veturën e të dyshuarit (zyrtarit policor) janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy revole të llojit Bereta. ”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se hetuesit e IPK-së në bashkëpunim me njësitin rajonal të hetimeve kanë zbatuar edhe një urdhëresë për bastisje në fshatin Malishevë të Gjilanit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.

“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”, përfundon njoftimi i IPK.

Sot rreth orës 5:00 të mëngjesit është vrarë një person në Gjilan. I dyshuari për vrasje është një Polic i Kosovës, ky i fundit është arrestuar dhe është kërkuar paraburgim për të./21Media

Back to top button