Intervistimi i Lushtakut në Hagë e dështon seancën ndaj Azem Sylës e të tjerëve në rastin ‘Toka’

Shtyhet gjykimi i Azem Sylës në rastin “Toka”

Seanca gjyqësore në gjykimin ndaj Azem Sylës dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “Toka” është shtyrë përsëri.

Gjatë seancës së sotme është paraparë që palët ta japin fjalën hyrëse, por një gjë e tillë është bërë e pamundur pasi që në sallë të Gjykatës nuk janë paraqitur tre avokatë.

Për Arianit Kocin dhe Granit Vokshin klientët e tyre thanë se ata gjenden në Hagë.

E ky i fundit ditë më parë me anë të një parashtrese e ka informuar Gjykatën se për shkak se do të jetë në Hagë, duke mbrojtur një klient tjetër nuk do të mund të marrë pjesë në këtë seancë gjyqësore.

“Granit Vokshi para dy dite përmes një parashtrese e informon kryetarin e trupit gjykues e nuk do të mund të jetë prezent në seancën e sotme me arsyetimin se është i angazhuar në mbrojtjen e personave që do të intervistohen në Hagë dhe meqë avokati Granit Vokshi e ka informuar Gjykatën, kolegu i tij Arianit Koci nuk e ka parë të arsyeshme fare. Me siguri e ka vlerësuar faktin notor se Gjykata e di se ai gjendet së bashku me avokatin Granit”, ka thënë kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra.

Ndërsa, për mungesën e avokates, Xhevahire Kloppner, gjyqtari Kalludra ka shtuar se Gjykata nuk ka informata lidhur me mungesën e saj pasi që e njëjta nuk e ka arsyetuar mungesën.

Mungesën e vazhdueshme të avokateve dhe dështimin e mbajtjes së seancave gjyqësore lidhur me këtë gjykim, kryetari i trupit gjykues e ka cilësuar papërgjegjësi të avokateve ndaj sistemit të drejtësisë madje, ai ka deklaruar se më nuk do të tolerojë mungesa të tilla.

“Papërgjegjësi totale ndaj sistemit të drejtësisë dhe po u vë në dijeni se kjo do të jetë hera e fundit që shtyhet në këtë mënyrë seanca e shqyrtimit gjyqësor në mungesë të avokatëve”, ka thënë gjyqtari, Beqir Kalludra.

Lidhur me mungesën e avokatëve, ai  ka thënë se do ta informoi edhe Odën e Avokateve.

Në këtë rast, Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në tjetërsim të tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës. Rasti është duke u gjykuar nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët, Beqir Kalludra, Shashivar Hoti e Violeta Namani, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurori special, Naim Abazi.

Në dhjetor të vitit 2016, Azem Syla ishte deklaruar i pafajshëm./kallxo.com

Back to top button