IPD: Testi PISA tregon se sistemi arsimor ka defekte serioze në vlerësim të nxënësve

 
Instituti Pedagogjik i Kosovës ka prezantuar sot rezultatet e hulumtimit “Shkathtësitë gjuhësore të nxënësve kosovarë të moshës 15 vjeçare dhe shkaqet e performancës së dobët në testin PISA, me fokus në ndikimin e mësimdhënësve të ciklit fillor dhe të ambientit akademik në të cilin zhvillohen ata”.
Në këtë konferencë u tha se nxënësit kosovarë kanë treguar një nivel të dobët të kalueshmërisë në testin PISA për fushën e leximit, ku vetëm 21.3 përqind kanë arritur ta kalojnë nivelin 1. Ky rezultat sipas këtij instituti tregon se sistemi i vlerësimit të nxënësve në Kosovë ka defekte serioze
Sipas këtij hulumtimi, Kosova ka numrin më të lartë të mësimdhënësve me gradën master se shtetet si Franca, SHBA-të, Kina, vende të cilat kanë shënuar rezultate shumë më të mira se Kosova.
Drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës, Nezir Çoçaj, tha se performanca e dobët e nxënësve në testin PISA nuk është vetëm rezultat i nxënësve, po edhe i të gjithë akterëve që merrem me arsim në Kosovë.
“Pakënaqësitë lidhur me përformancën e dobët të nxënësve tanë nuk është vetëm pakënaqësi ose përformancë e dobët e nxënësve, mirëpo mund të themi që është një performancë e tillë e të gjithë akterëve që merren me arsimin në Kosovë. Mirëpo, rezultatet e testi PISA u përmenden edhe më herët në dy testime që ka marrë pjesë Kosova si shtet nuk kanë qenë të mira, në fakt kanë qenë pak a shumë zhgënjyese për të gjithë ne si shoqëri. Andaj si IPK kemi dashur të reagojmë me hulumtimin që trajton rezultatet të cilat duhet të na shqetësojnë të gjithëve”, tha ai.
Bartësi i projektit Murteza Osdautaj, ka prezantuar të gjeturat me nxënësit e klasave të nënta, derisa tha se rezultatet e nxënësve në testin PISA tregojnë që sistemi i vlerësimit në Kosovë ka defekte shumë të mëdha.
“Kalueshmëria e përgjithshme e vendit tonë në PISA edhe në fushën e leximit është 21.3 përqind, do të thotë 21.3 përqind e nxënësve kanë arritur ta kalojnë nivelin 1 të leximit. Ndërsa pjesa tjetër rreth 80 përqind të nxënësve nuk kanë arritur ta pragun e kalueshmërisë. Por, çka është karakteristikë te kalueshmëria, është karakteristikë kjo nota mesatare me performancën e leximit është ndër më të ulëtat e vendeve pjesëmarrëse në PISA. Performanca e djemve dhe performanca e vajzave është gjithashtu ndër më të ulëtat në vendet që kanë marrë pjesë në PISA. Kjo nënkupton që dallimi mes nxënësit të dobët, nxënësit me të arritura maksimale është më i ulëti me të gjitha vendet që kanë marrë pjesë në testin PISA, kjo tregon se mësuesi jonë ose ta quaj sistemi jonë i vlerësimit të nxënësve në vendin tonë ka defekte dhe ka defekte bukur serioze. Do të thotë nuk është fare e vështirë që nga nota 2 të marrësh 5, do të thotë dijet e kërkuara janë minimale, ngase në PISA ka dalë që ai që ka qenë më i miri në të arriturat e PISA-s dallon shumë pak nga ai që ka qenë më i dobëti në arriturat e PISA-s”, tha ai.
E gjetur tjetër e hulumtimit, Osdautaj tha se është edhe fakti që Kosova ka numrin më të madh të nxënësve me gradë master se shumë shtete që kanë treguar performancë tejet të mirë në testin PISA.
“Kosova nga numri i përgjithshëm i mësimdhënësve rreth 52. 5 përqind e tyre janë me gradën master, çka nënkupton, kjo nënkupton që Kosova ka mësues me gradën master më të lartë se mesatarja e OECD-së, më të lartë se Franca, më të lartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të lartë se vendet e Kinës, për shembull vendet e Kinës kanë sukses maksimal ndërsa e kanë nivelin tepër të ulët të mësuesve me master në sistemin e tyre shkollor. Pse gjithë kjo masë e mësuesve me master, pse gjithë kjo ngecje në arritjet e PISA-s”, tha ai.
Ai tha se ndër rekomandimet që i kanë për institucionet e Kosovës është që studimet themelore dhe studimet master duhet të rishikohen në hollësi.

Back to top button