IPK rekomandoi suspendimin për gjashtë zyrtarë policorë

Inspektorati Policor i Kosovës, sonte ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin për gjashtë zyrtarë policorë.
IPK ka bërë të ditur se dje ka pranuar një ankesë nga një qytetar, i cili është ankuar për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Ferizaj. Ngjarja është raportuar se ka ndodhur dje në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari është ndaluar nga policia fillimisht si i dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore. Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj 6 zyrtarëve policorë, IPK ka bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tyre.”, ka informuar IPK.
Hetuesit e IPK-së, siç është bërë e ditur në komunikatë, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Back to top button