Ish-ministri Sefaj raporton për gylenistët

Pritet të raportojnë edhe familjarët e të deportuarve

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq, me fillim nga ora 10:00 filloi me intervistimin e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Në këtë mbledhje të komisionit është paraparë që të intervistohen familjarët e të deportuarve dhe presidenti Thaçi. Mirëpo, kreu i shtetit dje ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në ceremonitë mortore dhe në varrimin e Presidentit të 41-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George H. W. Bush.

Gjashtë shtetasit turq, të njohur si gylenistë ishin dëbuar nga Kosova më 29 mars të këtij viti. Pas kësaj është shkarkuar Flamur Sefaj që mbante postin e ministrit të Punëve të Brendshme si dhe shefi i AKI-së, Driton Gashi. Deri më tani janë intervistuar tre zyrtarë policorë të aeroportit, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ndërkaq, para një jave Komisioni Parlamentar Hetimor lidhur me rastin e gjashtë gylenistëve të deportuar në mars të këtij viti ka intervistuar Ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, ish-drejtorin e departamentit për aviacion civil, Ismail Berishën, Agjencinë e Shërbimeve të navigacionit ajror si dhe inspektorin e përgjithshëm të AKI-së, Shkelzen Sopjanin. Ministri Lekaj ka thënë se kompania turke keqpërdori lejen, pasiqë kërkuan fluturim privat dhe sipas tij, asnjë zyrtar as nga AKI-ja dhe as nga institucionet kosovare e ndërkombëtare turke nuk janë kontaktuar./21Media

Back to top button