Ja pse LDK-ja nuk po i bashkohet ekipit negociator në bisedime me Serbinë

“LDK-ja nuk përkrahë një qëndrim që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”

Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës që njëkohësisht është edhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, sonte në emisionin debatues, “Click” të RTV 21, tregoi arsyet se përse LDK-ja nuk po i bashkohet ekipit negociator për bisedime me Serbinë.

Sipas Tahirit, Lidhja Demokratike e Kosovës në platformën e publikuar për dialogun, tregon qartë që është pro dialogut.

Për shkak se shpesh po thuhet që LDK-ja nuk po merr pjesë dhe është kundër kërkesës së miqve tanë ndërkombëtar për të marrë pjesë në dialog, që nuk qëndron. Sepse, LDK-ja në platformën që ka publikuar dhe është qëndrim i Lidhjes Demokratike të Kosovës është shprehur qartë pro dialogut.”, është deklaruar ai.

Gjithashtu, Tahiri tregoi që nuk mund të ketë unitet me partitë e tjera sepse qëndrimet e kreut të shtetit dhe të bartësve të tjerë të institucioneve nuk janë në përputhje me interesat legjitime të Kosovës.

Nuk mund të kemi unitet për faktin se qëndrimet e kreut të shtetit në këtë rast dhe të bartësve të tjerë të institucioneve janë në shpërputhje me interesat legjitime të Republikës së Kosovës, janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe LDK-ja nuk përkrahë një qëndrim që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës e që është shkëmbimi i  territoreve ose korrigjimi i kufijve që ka thënë presidenti Thaçi. “, deklaroi Tahiri.

Ai gjithashtu tha që përmes këtij dokumenti LDK-ja ka treguar që është për unitet dhe i fton krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës që të kthehen në respektim të Kushtetutës,  të kthehen në respektim të Deklaratës së Pavarësisë, të kthehen në respektim të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ka njohur dhe ka konfirmuar Pavarësinë e Kosovës./21Media

Back to top button