Java Kulturore Italiane, aktivitete kushtuar trashëgimisë arbëreshe

Java Kulturore Italiane në Shqipëri ditën e sotme ia ka kushtuar arbëreshëve.
Aktivitetet u hapën me kuvendin “Trashëgimia kulturore arbëreshe. Vepra e Jeronim De Radës dhe Anselmo Lorecchio-s”, që u mbajt në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e trashëgimisë kulturore arbëreshe dhe rolin e saj në lidhjet historike italo-shqiptare.
Profesor Matteo Mandalà, përgjegjës i departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Palermos, vuri në dukje projektet e realizuara nga departamenti ku theksoi rëndësinë e projektit “BESA”, që sjell një përmbledhje të bibliotekave publike dhe private në fshatrat e banuara nga arbëreshët në Italinë e Jugut.
Ai theksoi rëndësinë e botimeve të kësaj njësie dhe rolin që duhet të luajnë nënat në mësimin e arbërishtes dhe të fëmijëve arbëreshë, shkruan ATSh.
Komuniteti arbëresh është i shpërndarë në 5 rajone të Italisë dhe gjuha arbëreshe, e ruajtur prej më shumë se 500 vjetësh, është shpallur gjuhë në rrezik zhdukjeje nga UNESCO.
Kjo ditë tërheq vëmendjen për ruajtjen e gjuhës e traditave dhe përcjelljen e tyre në brezat e ardhshëm.
Në Shqipëri, muaji qershor ka filluar me Javën e Kulturës Italiane, aktivitetet e së cilës do të zhvillohen në Tiranë e rrethe, deri më datën 7 qershor.