Java për siguri globale rrugore edhe në Kosovë
Kampanja për këtë javë është: SaveLives #SlowDown
Edhe Kosovë është bërë pjesë e aktiviteteve në kuadër të javës së katërt për siguri globale rrugore të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet nga data 8 deri më 14 maj, ku fokusi do të jetë veprimi në ngadalësimin e shpejtësisë, si shkaktarë kryesorë i aksidenteve në rrugë.
Kjo javë do të fokusohet në shpejtësinë gjatë ngasjes dhe çka mund të bëhet për të adresuar këtë faktor kryesor të rrezikut për vdekjet dhe lëndimet në trafikun rrugor. Kampanja kryesore për këtë javë është: SaveLives #SlowDown.
Muhamed Krasniqi, tha se qëllimi është që në kuadër të javës së sigurisë globale të organizojnë aktivitete për të shënuar këtë javë, që këtë herë është fokusuar të veprohet në ngadalësimin e shpejtësisë.
“Qëllimi i këtij organizimi është që të organizojmë aktivitete brenda gjithë javës nga data 8 deri në datën 14, për të shënuar javën e sigurisë globale. Janë aktivitete të cilat zhvillohen anë e mbanë botës, ndërsa kësaj radhe me qenë se është javë e katërt me radhë, këtë herë është fokusuar të veprohet në ngadalësimin e shpejtësisë, si shkaktarë kryesorë i aksidenteve në rrugë. Duke punuar, duke u fokusuar në ngadalësimin e shpejtësisë ne do të punojmë në vetëdijesimin e të gjithë pjesëmarrësve në rrugë që të jenë të përgjegjshëm dhe të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat për lëvizje të sigurt në rrugë”, tha ai.
Disa nga aktivitetet të cilat do të organizohen janë, shpërndarja e librave për ngjyrosje “Si të lëvizim të sigurt në rrugë”, manifestimi qendror në kuadër të edicionit të pestë të revistës shkollore “Siguria në rrugë”, ku nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulëta do të tregojnë shkathtësitë e tyre në ngasjen e biçikletës, zhvillimi i anketave në rajone të ndryshme me ngasës të mjeteve motorike, me qëllim të vlerësimit të njohurive të tyre për elementet përbërëse të mjeteve motorike.
Sipas Krasniqit, të gjitha aktivitetet që do të bëhet do të arrijnë efekt, pasi një pjesë e madhe e aksidenteve ndodhin për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.
“Unë mendoj se do të ketë efekt për shkak se aksidentet të cilat ndodhin në Kosovë, pjesa dërrmuese e tyre shkaktohen për shkak të tejkalimit të shpejtësisë”, tha ai.
Ai tha se përmes këtyre aktiviteteve të bëjnë një ngadalësim simbolik të shpejtësisë në rrugë të Kosovës.
Nga Policia e Kosovës, Major Skender Krasniqi, bëri të ditur se gjatë këtij viti aksidentet me fatalitet janë në rënie. Sipas tij, kjo ka ardhur si pasojë e vetëdijesimit të qytetarëve dhe punës së mirë të Policisë së Kosovës.
“Në krahasim me vitin e kaluar në Kosovë aksidentet me fatalitet janë në zbritje dhe aksidentet e përgjithshme 19 përqind. Duke ju falënderuar vetëdijesimit të qytetarëve, punës së mirë të policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera. Si shkaktarë kryesorë i aksidenteve të trafikut është tejkalimi i shpejtësive. Për hir të kësaj në këtë javë të gjitha njësitë e trafikut të Kosovës kanë përpiluar planet operative të cilat do të bëjnë identifikimin e personave të cilët bëjnë tejkalimin e shpejtësisë dhe të gjithë ata persona do të ndëshkohen”, tha Skender Krasniqi.
Këto aktivitete organizohen bashkërisht nga të gjitha institucionet në vend të cilat kanë mandat dhe merren me çështjet e sigurisë në trafik si: Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Policia e Kosovës, Forumi i Kosovës për siguri në rrugë, Kolegji i shkencave të aplikuara teknike “Tempulli”, OSBE dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” e cila është organizata zyrtare për Kosovë për implementimin e Javës të Katërt për Siguri Globale Rrugore të Kombeve të Bashkuara.