Javën e ardhshme mbahet seanca për shkarkimin e Bordit të RTK-së
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës është marrë vendim që javën e ardhshme mbahet seanca për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
“Më në fund Kryesia e Kuvendit arriti me e pas kuorumin dhe me vendos për seancën e radhës. Ju e dini se për shkak të dy dështimeve të mbledhjeve të kaluara nuk kemi mundur që ta thërrasim seancën e re të Kuvendit. Seanca është caktuar për javën e ardhshme. Pjesë e kësaj seance do të jetë shkarkimi i Bordit të RTK-së, një goditje që mazhoranca po ia jep një medium publik”, tha Tahiri.
Shkarkimin e Bordit të RTK-së, Tahiri tha se do ta kundërshtojnë edhe në seancën e Kuvendit.
Kundër këtij vendimi ka dalë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi në një konferencë për media tha se këto veprime janë në kundërshtim me ligjin.
“Këtu ka shkelje të drejtave të njeriut sepse ka shkarkim kolektiv”, tha ndër tjera Gashi
Sipas tij, ky vlerismi dhe vendim është politik.
Po ashtu, Besnik Tahiri nga AAK-ja tha se shkarkimi i një organi kolektiv, i bordeve dhe institucioneve të tjera pa një vlerësim të saktë është gabim. Tahiri tha se kjo do të kthehet një kulturë që nuk do t’i bëjë “hajr” vendit./21Media