Jim Mattis dorëhiqet nga posti

Gjenerali i marinsave me katër yje dhe me një karrierë prej 40 vjetësh

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis do të largohet nga posti në fillim të vitit të ardhshëm, pasi siç tha në letrën e dorëheqjes, pikëpamjet e tij nuk janë plotësisht “të përafërta” me ato të presidentit Donald Trump.

Letra e tij u bë publike shumë shpejt pasi Trump shkroi në Twitter se Mattis do të pensionohet në fund të muajit shkurt.

“Mattis ka qenë një ndihmë e madhe për mua në bindjen e aleatëve dhe të vendeve të tjera për të paguar pjesën e tyre të obligimeve ushtarake”, shkroi Trump në Twitter.

Lajmi për largimin e Mattisit vjen në javën kur Trump njoftoi se të gjitha trupat amerikane do të tërhiqen nga Siria.

 

Mediat amerikane raportojnë se Mattis dhe ndihmës të tjerë të sigurisë kombëtare e kanë kundërshtuar vendimin e Trumpit për tërheqje nga Siria, duke thënë se ai i bën fitues Iranin, Rusinë dhe Turqinë.

Mattis, 69 vjeç, gjeneral i marinsave me katër yje dhe me një karrierë prej 40 vjetësh, ka qenë një nga anëtarët më të respektuar të administratës Trump dhe ka gëzuar respekt edhe nga demokratët, edhe nga republikanët.

Back to top button