“Ka ardhur koha të themi mjaft më”

May dënoi sulmin terrorist që i mori jetën 7 personave dhe plagosi 48 të tjerë në Londër

“Ka ardhur koha të themi mjaft më”. Kështu tha kryeministrja britanike Theresa May, ndërsa dënoi sulmin terrorist mbi civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, që i mori jetën 7 personave dhe plagosi 48 të tjerë në Londër.

Një furgon i bardhë u përplas mbi kalimtarët në urën e Londrës, rreth orës 22.00 të së shtunës, e më pas tre persona dolën prej tij dhe qëlluan me thika njerëzit në tregun Borou, aty pranë.

Tre autorët, me bomba të rreme në trup, u qëlluan për vdekje nga policia. May tha se strategjia britanike e antiterrorizmit do të rishikohej.

“Ne nuk mund dhe nuk duhet të pretendojmë se gjërat mund të vazhdojnë në këtë mënyrë. Ne besojmë se po përjetojmë një kthesë të re në kërcënimin me të cilin përballemi, ndërsa terrorizmi ushqen terrorizmin. Por, ka ardhur koha të themi mjaft”, th May.

Duke folur në Downing Street, pas një takimi të Komitetit Qeveritar të Emergjencave, Cobra, ajo premtoi se do të përshkallëzoheshin përpjekjet për luftimin e ideologjisë islamike dhe se do të punohej me vendet e tjera për të parandaluar kthimin e internetit në një hapësirë të sigurtë për terroristët.

Por, sipas saj, dhuna nuk duhet lejuar të pengojë procesin demokratik. “Fushata elektorale do të rifillojë të hënën dhe zgjedhjet, ashtu siç është paralajmëruar, do të mbahen të enjten. Si vend, përgjigjia jonë duhet të jetë ajo që ka qenë gjithnjë në raste të tilla, duhet të bashkohemi dhe të mundim armiqtë tanë”, deklaroi May.

Ky është sulmi i tretë terrorist në Britaninë e Madhe në tre muaj, pas sulmit me makinë dhe thika në Uestminster në mars, me pesë viktima dhe shpërthimit kamikaz në Mançester, dy javë më parë, kur humbën jetën 22 vetë.

Niveli i kërcënimit terrorist në vend mbetet i ashpër, çka do të thotë që sulme të tjera janë të mundshme, por nuk është ngritur në kritik, siç ishte pas sulmit në “Manchester Arena”.

Back to top button