Ka mundur të bëhet deputet edhe në Kosovë, por zgjedhi rrugën më të vështirë

Opinion nga Milazim Krasniqi
Fitorja e Shaip Kamberit për deputet në Kuvendin e Serbisë është lajm i mirë. Në mandatin e kaluar, Shaipi e ka përfaqësuar komunitetin shqiptar me dinjitet të madh. Dhe është shembull i duhur, sepse e ka guximin e qëndron si shkëmb në truallin e vet.
Jam i bindur se po të donte, ai mund të vinte në Kosovë dhe mund të bëhej deputet edhe këtu, sepse ai e ka staturën e politikanit të vërtetë dhe guximtar. Por, ai ka zgjedhur rrugën më të vështirë për veten, ama rrugë më të dobishme për kombin.
Ndërsa, përtej këtij shembulli brilant të tij, përvoja e hidhur politike e shqiptarëve në Luginën e Preshevës me zgjedhjet e 3 prillit 2002 tregon një gjë themelore: Kosova definitivisht duhet të marrë përgjegjësi më shumë për shqiptarët e asaj krahine. Jo veç me fjalë, po me ndihma konkrete dhe shumëplanëshe.
Ruajtja e shumicës shqiptare në atë hapësirë është interes strategjik shqiptar, si edhe interes strategjik i NATO-s, meqë “Qendra Humanitare Ruse” nuk është as 100 kilometra larg prej atyhit. Por, paralelisht me ndihmën që duhet të ofrohet bujarisht nga institucionet tona shtetërore, edhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës duhet ta rrisin bashkëpunimin dhe lojalitetin ndaj Prishtinës zyrtare.
Nëse bashkërendohen punët, në zgjedhjet e radhës shqiptarët mund të kenë përfaqësim shumë më të fortë. Poashtu, nga epilogu i negociatave të Brukselit mund të derivohet ndonjë zgjidhje e dobishme edhe për ta. Pra, duhet seriozitet, bashkëpunim dhe realpolitikë.

Back to top button