Ka nisur procesi i inventarizimit të veprimtarisë së Shaqir Hotit

 

Sot në Muzeun Kombëtar të Kosovës u hap ekspozita me koleksionin e figurës qendrore të trashëgimisë muzikore folklorike të mjeshtrit të instrumenteve Shaqir Hoti.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku me këtë rast ka përkujtuar kontributin e Shaqir Hotit në zhvillimin e folklorit dhe kulturës muzikore në vend.

“Më 10 prill të këtij viti u shua fizikisht Shaqir Hoti, një prej personaliteteve kyçe e të zhvillimit të folklorit dhe shpirtit të traditës dhe kulturës muzikore në Kosovë. Baca Shaqë ishte një figurë mjaft komplekse me veprimtari krijuese që përfshinte disa fusha interpretimin muzikor e posaçërisht instrumentet frymore, kompozimin, tekst shkrimin, ndërtimin e skenës muzikore në Kosovë… Shaqir Hoti përfaqësonte folklorin, natyrën e pastër të Kosovës, thjeshtësinë dhe madhështinë e saj, ai përfaqësonte tregimet e njerëzve të Kosovës me punën e tij që takonte tokën dhe frymën një simbiozë shumë e veçantë mes njeriut dhe natyrës”, tha ai.

Ministri Çeku ka bërë të ditur se ka filluar procesi i inventarizimit të veprimtarisë së Shaqir Hotit, ku përfshihen katalogimi, regjistrimi, mbrojtja dhe arkivimi i veprimtarisë së tij.

“E kemi filluar një proces tejet të rëndësishëm të inventarizimit të trashëgimisë shpirtërore të veprimtarisë së Shaqir Hotit, inventarizimi do të sigurojë, katalogimin, regjistrimin, mbrojtën dhe arkivimit të veprimtarisë së tij në tërësi të saj”, tha ai.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës Ajet Leci tha se krijimtaria e Shaqir Hotit do të jetojë edhe për shumë breza të ardhshëm.

“Jam shumë i nderuar që kjo ekspozitë për bacën Shaqë, po mbahet në hapësirat e Muzeut Kombëtar të Kosovës, baca Shaqë edhe pse nuk është fizikisht me ne krijimtaria e tij artistike do të jetojë edhe për shumë breza që do të vijnë. Veprat e tij artistike në këtë ekspozitë flasin më shumë se sa që ne mund të flasim me ditë të tëra”, tha ai.

Instrumentisti i njohur kosovar, Shaqir Hoti, ndërroi jetë në prill të këtij viti. I lindur më 1936 në Rogovë të Hasit, ai që në moshë 6-vjeçare luajti me instrumentet aerofone si fyej, kavalle, bishtnica, pipëza e të tjera.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje e të mesmen e muzikës në Prizren, në flaut. Një kohë punoi në fshatin e lindjes duke kontribuar në organizimin e jetës kulturore. Më pas u angazhua në orkestrën popullore të Radio Prishtinës si flautist i parë.

Mori pjesë në festivale me karakter vendor dhe ndërkombëtar me instrumente frymore. Mbetet e veçantë paraqitja në Berlinin Perëndimor më 1969, në një festival ndërkombëtar ku me këngën “Baresha”, të interpretuar nga Nexhmije Pagarusha, fituan çmimin e parë.

Back to top button