Ka rënie të fertilitetit në Kosovë

Të dhënat janë marrë nga miksi i vitit 2013-2014

Zyrtarë të UNFPA-s thanë sot se nga të dhënat e besueshme që i ka Kosova lidhur me shëndetin riprodhues del se në vendin tonë ka rënie të fertilitetit në 2.3 për qind nga 2.9 sa ishte në vitin 2002.

Doktoresha Zarife Miftari nga UNFPA, tha në tryezën e rrumbullakët “Rëndësia e Planifikimit Familjar në Shëndetin e Popullsisë”, të organizuar nga K10 në bashkëpunim me UNFPA, se sipas anketës demografike shëndetësore në Kosovë vërehet se ka rënie të përdorimit të kontraceptivëve.

“Të dhënat që janë marrë nga miksi i vitit 2013-2014, janë të dhënat më të besueshme që aktualisht i kemi në Kosovë sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të cilat tregojnë se kemi një rënie të fertilitetit në Kosovë në 2.3 prej 2.9 sa ishte në vitin 2002, sipas anketës demografike shëndetësore. Mirëpo në anën tjetër kemi një shkallë të ulët të përdorimit të kontraceptivëve të mjeteve moderne. Shkalla e përgjithshme e përdorimit të kontraceptivëve është 65.8, por kjo i nënkupton edhe ato metoda që nuk janë moderne dhe të cilat, faktikisht është tërheqja si më e përdorura dhe që do ta shohim në vijim se ka një shkallë të lartë të dështimit. Nevojat e paplotësuara janë 8.9 që është një përqindje mjaft e lartë për vendin tonë. Metodat moderne janë vetëm 13.7”, ka thënë Miftari.

Ajo theksoi se ekzistojnë keqkuptime për kontracepsionin dhe si të tilla duhet të hiqen përmes shërbimeve dhe informimit sa më të madh për rëndësinë e shëndetit riprodhues.
Doktoresha Visare Mujko – Nimani nga UNFPA, u shpreh se investimet në planifikimin familjar ndikojnë pozitivisht në rritjen e rolit të gruas në shoqëri, barazinë gjinore dhe për zhvillimin ekonomik.

Merita Vuthaj, pediatre, tha se Ministria e Shëndetësisë ka hartuar ligjin për shëndetin riprodhues në Kosovë dhe tha se së shpejti vendi ynë do të ketë ligjin gjithëpërfshirës, pjesë e së cilit do të jetë edhe fertiliteti i asistuar mjekësor.

Ndërsa, Mrika Aliu nga “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” tha se koalicioni i organizatave “K10” ka mision që të punojë për një shoqëri që ka shëndet të mirë seksual dhe riprodhues si dhe u shpreh se synojnë të ngritin vetëdijen e pacientëve lidhur me këtë.

Ndryshe, UNFPA ka kontribuar që nga viti 1999 në Kosovë, duke ofruar pajisje moderne për institucionet publike në Kosovë, zhvillimin e kurrikulave për mësimin e rëndësisë së planifikimit familjar në Kosovë e të tjera.

Back to top button