Kallëzim penal ndaj zyrtarëve të Prishtinës për “Sunny Hill”

Zyrtarët e Komunës së Prishtinës janë paditur nga komuniteti “Qytetarët Aktivë”, për lejimin e mbajtjes së Festivalit “Sunny Hill” këtë vit në parkun e Gërmisë.
Lajmin për rtv21.tv e ka konfirmuar Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Referuar kërkesës suaj, mund t’iu njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal lidhur me këtë çështje”, ka thënë Ulaj.
Kallëzimi penal kundër nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, drejtorit të Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Ilirik Musliu, udhëheqësit të sektorit për shërbime publike, Habib Qorri dhe zyrtarit për hapësira publike, Sabri Gashi,  është dorëzuar më 12.10.2022.

Komuniteti “Qytetarët Aktivë” konsiderojnë se “zyrtarët me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer vepër penale të degradimit ose shkatërrimit të mjedisit (neni 338 i Kodit Penal), lejimit të kundërligjshëm të instalimeve që ndotin mjedisin (neni 340 i Kodit Penal), si dhe të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”./21Media

Back to top button