Kamberi mirëpret vendimin e PDK-së që në listën zgjedhore të ketë kandidatë nga Lugina

 

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit edhe kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj gjatë së martës deklaroi se në listën zgjedhore do të kenë dy kandidatë nga Lugina e Preshevës.

Një gjë të tillë e ka mirëpritur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Ai derisa ka uruar Kosovën për zgjedhje të lira dhe demokratike ka shtuar edhe se beson që pas zgjedhjeve të zgjedhurit e institucioneve ekzekutive do të mund të bashkërendohen për hartimin dhe zbatimin e një plani dhe programi të përbashkët në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

“Përkushtimi dhe angazhimi i partive politike në Kosovë për Luginën e Preshevës, të paraqitura edhe përmes fushatës parazgjedhore, janë të mirëseardhura. I uroj Republikës së Kosovës zgjedhje të lira dhe demokratike. Besoj se pas zgjedhjeve, të zgjedhurit e institucioneve ekzekutive e legjislative të Republikës së Kosovës dhe ata/o të Luginës së Preshevës, do të mund të bashkërendohen për hartimin dhe zbatimin e një plani dhe programi të përbashkët, në përputhje me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Back to top button