Kandidati që humbi garën përball tezakes së presidentes Osmani: Isha i pari në listën e britanikëve

Menderes Ibra, kundërkanditati i Venera Çerkinit e cila është zgjedhur Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, ka reaguar duke thënë se ishte i pari në listën e Ambasadës e Britanisë së Madhe si kandidati më i kualifikuar për këtë post.
“Pas testimit me shkrim dhe intervistës me gojë, në listën fituese nga komisioni shtetëror u zgjodhëm tre vetë, ku unë isha i dyti në listë. Procesin e rekrutimit të nivelit të lartë drejtues e monitoron organizata e kontraktuar nga Ambasada e Britanisë së Madhe, dhe në ranglistën e tyre unë isha i pari. Personalisht, dëshiroj që, publikisht të falenderoj britanikët për vlerësimin, dhe kjo më bëri që të jem mirënjohës, dhe te ndjehem shumë mirë. Në mbledhjen e fundit Qeveria aprovoi vendimin e Ministrit të Bujqësisë, ku drejtoreshë u emërua kandidatja që ishte e para në listën e komisionit shtetëror, dhe procesi u përmbyll këtu.”, ka shkruar ai në Facebook.
Paraprakisht ibra ka thënë se reagimi i tij erdhi si pasojë e interesimit të madh për ta pyetur atë rreth kësaj çështje.
Kujtojmë se ditë më parë u raportua se Venera Çerkini, e cila është emëruar Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, është vajza tezës së presidentes Vjosa Osmani./21Media