Kastrati: Problemin me Asociacionin e shoh tek presidentja Osmani

(lajmi në përditësim)

Kastrati: Problemin me Asociacionin e shoh tek presidentja Osmani

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, e ka fajësuar Komandanten e tanishme Supreme të FSK-së, Vjosa Osmanin, për trysninë që bëhet nga komuniteti ndërkombëtar për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kastrati tha se presidentja Osmani, roli i së cilës është unifikues, do të duhej të mbledhë në një tryezë kryeministrin Albin Kurti, kryeparalamentarin Glauk Konjufca, si dhe liderët opozitarë Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun e Ramush Haradinajn, për të hartuar një propozim për Asoaciacionin.

“Unë mendoj se gabimi ka qenë në anën tonë, pasi nuk kemi dalë me një strategji të qartë. Unë këtë gabim e shoh tek presidentja e Republikës së Kosovës, si person unifikues ajo do të duhej ta thërret kryeministrin, kryeparlamentarin, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, liderët opozitarë, që të ulet, t’i dëgjon të gjithë, ta bëj një politikë të qartë, një strategji të qartë, se si do të duhej ne si Kosovë t’i qasemi veriut, cila është politika jonë e përgjithshme dhe pas kësaj ajo t’i ftojë edhe SHBA-në edhe BE-në, që t’ia tregojë në tavolinë propozimin për krijimin e Asociacionit, t’u thotë se ky është propozimi ynë, këto janë vijat e kuqe dhe përtej tyre nuk ecim. Mirëpo e kam përshtypjen se kemi pritur që miqtë tanë të kryejnë detyrat tona, e ajo nuk është në rregull dhe për atë jemi ku jemi”, tha Kastrati në një intervistë për RTV21.

Kastrati tha se figurativisht, Kosova tani është “e mbështetur për muri” rreth krijimit të Asoaciacionit.

“Ka dy vite që ne kemi qenë të pyetur nga ndërkombëtarët që të japim një propozim të Asociacionit, sepse ne e kemi ditur që duhet ta bëjmë këtë, jemi të obligueshëm ndërkombëtarisht që ta bëjmë një Asociacion, nuk e kemi bërë. Që dy vite nuk kemi qenë në gjendje që ta paraqesim një propozim për krijimin e një Asociacioni në tavolinë, duke bashkëpunuar me opozitën dhe me të gjitha institucionet e vendit. Nuk kemi qenë të gatshëm që ta bëjmë një gjë të tillë. E kemi neglizhuar pak edhe kërkesën e partnerit tonë strategjik SHBA-së dhe ja ku jemi sot. Ne faktikisht jemi të mbështetur për muri dhe tani na kërkojnë që brenda dy apo tri ditësh ta propozojmë (Asociacionin), ta marrim apo ta lëmë”, deklaroi Kastrati. /21Media

Kastrati: Shumë njerëz thonë se UÇK-ja nuk ka dashur të hyjë në veri, por ky ka qenë plan i NATO-s

Ish-Zëvendës Komandanti i UÇK-së në zonën operative të Llapit, Kadri Kastrati, ka thënë se problemi i krijuar në veri nuk është për shkak se trupat e UÇK-së nuk kanë dashur apo nuk kanë pasur kohë të hyjnë në atë zonë, siç thonë shumë njerëz, por se ashtu ka qenë e planifikuar nga NATO-ja.

“Mendoj se ne i kemi përmbyllur të gjitha synimet e shtetësisë, kemi probleme me veriun, ai problem nuk është nga tani, është problem nga viti 1999 sepse ashtu ka qenë e planifikuar. Shumë njerëz thonë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur kohë apo nuk ka dashur që në atë kohë që të hyjë në veri, mirëpo ajo ka qenë e planifikuar nga NATO dhe ne s’kemi mundur të hyjmë atje si Ushtri Çlirimtare e Kosovës”, tha Kastrati në një intervistë për RTV21.

Kastrati tha se për të zgjidhur problemin me serbët lokalë në veri duhet koordinim i thellë me aleatët ndërkombëtarë.

“Problemet në veri nuk janë probleme që mund të zgjidhen brenda natës. Mendoj se lypin kohë, angazhim, përkushtim, largpamësi, por edhe lypin koordinim të mirë me aleatët tanë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja”, u shpreh Kastrati.

Tutje Kastrati tha se Kosova ka neglizhuar për një kohë situatën në veri, ndërkohë që sipas tij, Serbia ka kalkuluar mirë në atë se çfarë do të pasojë më vonë.

Mendoj se pak e kemi neglizhuar për një kohë, nuk e kemi ditur se çfarë do të vjen deri sot. Serbia e ka ditur shumë mirë, Serbia e ka pasur të qartë se çka po don, ajo gjithmonë ka dëshiruar që atë pjesë të Republikës së Kosovës ta shkëpusë, ta merr për vete, ta krijon atë Serbinë e Madhe sipas ideologëve dhe shovinistëve të tyre. /21Media


Kastrati: Në politikë kemi ngecje, nuk jemi largpamës

Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka thënë se Kosova nuk ka një vizion të qartë në politikë, duke folur rreth gjendjes së tanishme të shtetit në 24-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.

Në një intervistë për RTV21, Kastrati tha se në  politikën kosovare ka ngecje dhe se për t’i tejkaluar problemet, udhëheqësit duhet të veprojnë me kujdes.

“Në 24 vitet Kosova ka bërë përparim shumë të madh. Nëse i marrim dy fotografi, në atë se si kemi qenë në vitin 1999 dhe në atë se si jemi në vitin 2023, kemi përparim shumë të madh në zhvillimin e Kosovës. Kemi përparim të madh në infrastrukturë, ekonomi, kulturë, në mirëqenie, në ndërtimin e misioneve të sigurisë, të mbrojtës, të inteligjencës dhe faktikisht unë mendoj se Kosova për këto vite, që prej shpalljes së pavarësisë, ka ecur mjaft shpejtë, mjaft mirë, në ndërtimin e të gjitha këtyre që i përmenda më herët, përveçse në politikë unë mendoj se kemi pak ngecje, nuk kemi një strategji të qartë, nuk kemi një vizion të qartë, nuk jemi largpamës të mjaftueshëm, që gjërat që janë të rëndësishme për shteti t’i planifikojmë mirë dhe të veprojmë ashtu siç duhet që  t’i zgjedhim të gjitha problemet që i kemi aktualisht”, tha Kastrati për RTV21. /21Media

Back to top button