Palatova – Kurtit: Brukseli nuk mund thjesht t’ua japë statusin e kandidatit, duhet t’i bindni 27 shtetet

Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka deklaruar se Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi duhet t’i bindë të 27 shtetet anëtare të BE-së.
Në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, më 9 maj, në një organizim të Zyrës së BE-së në Kosovë, ajo tha se Brukseli pret nga Kosova zgjedhje të lira dhe të drejta, formim të shpejtë të institucioneve dhe avancim të reformave.
“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë, Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni 27 shtetet anëtare”, tha ajo.
Palatova theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të dëshmojë standarde demokratike dhe stabilitet institucional.
“Dhe për këtë, rëndësi kanë këto tri elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë. Zgjedhjet parlamentare që mbahen saktësisht një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, tha ajo.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian pret krijimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve dhe vazhdimin e reformave.
“Së dyti, shpresojmë të shohim një formim të shpejtë të institucioneve. Një qeveri e bazuar në një shumicë të fortë në kuvend, e aftë të gjenerojë kompromise të fuqishme ndërpartiake, të zgjedhë një president dhe të avancojë me agjendën e reformave. Dhe sigurisht, karakteri shumetnik i Kosovës është me vlerë të madhe për të gjitha shtetet tona anëtare”, tha ajo.
Sipas saj, shtetet anëtare të BE-së po e përcjellin mënyrën se si Kosova i trajton komunitetet joshumicë dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.
Palatova shtoi se BE-ja pret zbatim me mirëbesim të marrëveshjeve dhe progres në dialogun e lehtësuar nga Brukseli.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?