Katër nxënës sulmohen nga qeni në hapësirat e një shkolle në Suharekë

Katër nxënës janë sulmuar nga qeni në hapësirat e shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës duke iu shkaktuar lëndime, e një nxënëse ka pësuar lëndime serioze në kokë.
Rasti ka ndodhur brenda hapësirave të shkollës, ku pas sulmit të qenit ka reaguar edhe policia, duke e asgjësuar atë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi ka konfirmuar se rasti ka ndodhur rreth 09:50.
“Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë, ku pasi kanë arritur në shkollë kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët mirëpo në shpejtësi është asgjësuar duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm”, ka thënë Gashi.
Ai po ashtu njoftoi se policia ka ndihmuar nxënësit të dërgohen në urgjencë për mjekim si dhe ka siguruar vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore në lidhje me rastin në fjalë, duke njoftuar prokurorin kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-në si dhe është identifikuar pronari i qenit dhe është arrestuar.