KD, FOL, INPO: Vetëm 2% e rasteve përmendin Gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut

Në seancat gjyqësore vetëm në dy për qind të rasteve është përmendur jurisprudenca e Gjykatës Evropiane Për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ndërsa u aplikua në trembëdhjetë për qind të vendimeve gjyqësore.
Kështu është thënë sot me rastin e publikimit të raportit “Aplikimi i jurisprudencës së GJEDNJ-së në Kosovë”, ku Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me përkrahjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë.
Drejtori ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj tha se në rast që Kosova do të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës dhe se po konstituoheshin institucionet do të kishte mundësi që dhjetëra konventa të ratifikoheshin dhe të dërgoheshin në Këshillin e Evropës për ratifikim.
“Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë është duke e ndihmuar Kosovën prej kur është themeluar, si ndihmë që vjen jo në mënyrë të njëjtë sikur Kosova të ishte palë nënshkruese e konventave. I kam kushtuar rëndësi të faktit se nëse Kosova të bëhej pjesë e Këshillit të Evropës do t’i kishim pasur mundësitë që brenda vitit të parë, pas anëtarësimit në Këshill të Evropës nëse do të kishim institucione të konstituara, kuvend, qeveri, me dhjetëra konventa t’i ratifikojmë dhe t’i dërgojmë në Këshillin e Evropës për ratifikim. Kjo pa dyshim që do t’i mundësonte Kosovës të kishte rol më të madh në bashkëpunim qoftë në aspektin diplomatik apo në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor në çështjet penale”, tha Miftaraj.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Duke mbështetur këtë iniciativë, Gjermania konfirmon edhe një herë angazhimin e saj të fortë dhe të palëkundur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky qëllim mbetet qartë i arritshëm. Dhe më lejoni një vërejtje personale, si ish-punonjës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Këshillin e Evropës, kam udhëtuar rreth 30-40 herë gjatë kohës sime në Strasburg, në takimet e Asamblesë Parlamentare, në samitin e parë të mbajtur në vitin 1997. Është shumë e nevojshme që Kosova të anëtarësohet sa më shpejt. Dhe do të ketë shumë përfitime. Shpresoj që kjo të ndodhë më shpejt sesa më vonë. Për të siguruar shumicën e nevojshme për anëtarësim, tani është thelbësore që Kosova të përmbushë shpejt detyrimet e saj në kuadër të dialogut, duke përfshirë dorëzimin e draft-statutit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Dhe dëshiroj ta theksoj këtë. Nuk bëhet fjalë për zbatim të plotë, por për dërgimin e draftit për shqyrtim në Kosovë”, tha Rohde.
Të gjeturat e raportit u shpalosën nga hulumtuesi i lartë në IKD, Gëzim Shala, derisa potencoi se përgjatë seancave gjyqësore vetëm në dy për qind të rasteve është përmendur jurisprudenca e GJEDNJ-së. Ai tha se jurisprudenca e GJEDNJ-së është aplikuar në 13 për qind të aktgjykimeve, më së shumti në ato themelore.
“Gjetjet thonë se vazhdon të ketë një nivel të ulët të aplikimit të jurisprudencës së gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Kjo si në kuptim të aplikimit të kësaj jurisprudence me qëllim të arsyetimit të aktgjykimeve. Mirëpo, edhe në ndikim të ndjekjes së disa standardeve. Fillimisht përgjatë seancave gjyqësore gjetjet tregojnë se vetëm në 2 për qind të rasteve është përmendur jurisprudenca e gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut dhe kjo është përmendur nga gjyqtarët dhe jo nga palët ndërgjyqësore. Nëse i referohemi vendimeve të gjykatave, i bie se nga totali i aktgjykimeve të analizuara, jurisprudenca e GJEDNJ është aplikuar 13 për qind të aktgjykimeve të gjykatave. Më së shumti është aplikuar në rastet civile. Për nga niveli i gjykatave më së shumti është aplikuar në gjykatat themelore”, tha Shala.
Derisa prezantoi gjetjet, Shala tha se as avokatët nuk e aplikojnë jurisprudencën e GJEDNJ-së. Bazuar në analiza, Shala tha se nga momenti i inicimit të rastit, ngritja e aktakuzës dhe parashtrimi i padisë, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të rasteve është një mijë e dyqind e pesëdhjetë e gjashtë ditë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi e pranoi se sistemi i drejtësisë nuk është në gjendjen më të mirë.
“Unë pajtohem plotësisht se te zvarritja ne kemi pasur një sistem për dhjetë vite ka qenë në anarki të plotë. Nuk mund të themi se ka pasur funksionim normal të sistemit në kohën derisa ka qeverisur UNMIK-u. Pastaj është bërë reforma e vitit 2010 brenda sistemit ka pasur zhvillime mjaft të mëdha dhe njëfarë mobilizimi në krijimin e praktikave e unifikimit të praktikave. Ka pasur shukë ngecje për shkak të shumë elementeve qoftë edhe mungesës e gjyqtarëve…(Sistemi i drejtësisë që) nuk është në gjendjen më të mirë, por ka ardhur në një stad ku sistemit i nevojitet pjekuria. Kur them pjekuria mendoj që gjyqtarët duhet të fokusohen tek vendimmarrja dhe te zbatimi i lirive dhe të drejtave të njeriut në plotni, do të thotë nuk guxojnë që të kenë vendime e që bien ndesh me praktikat e GJEDNJ-së… Unë pajtohem plotësisht në këtë pjesën e të gjeturave për mungesën për gjykim në kohë të arsyeshme”, theksoi Rexhepi.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi tregoi arsyet e mos rritjes së numrit të prokurorëve.
“Një gjë që na shqetëson neve si sistem prokurorial është çështja se qeveria nuk ndan buxhetet e kërkuara sipas asaj që ne e shohim të panevojshme dhe këtë e them një arsye. Kohët e fundit është rritur numri i gjyqtarëve dhe na vjen shumë mirë që është bërë kjo. Por, nuk është rritur numri i prokurorëve për shkak të mungesës së buxhetit. Dhe çfarë po ndodh në praktikë, gjyqtarët me të drejtë caktojnë seanca, por fatkeqësisht nuk kanë të drejtë t’i mbajnë këto seanca për shkak të numrit te vogël të prokurorëve dhe pamundësisë se tyre për të arritur në të gjitha seancat që i caktojnë gjyqtarët”, tha Kelmendi.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj theksoi se shkaku i situatës së krijuar me kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore është te gjykatat.
“Shkaku i situatës së krijuar me kohëzgjatjen e procedurave gjyqësore është te gjykata. Është edhe mos veprimi i autoriteteve të tjera në zbatim të ligjit, mungesa e efikasitetit të administratës, jo profesionalizmi, qasja jo e duhur institucionale e zgjidhjes së problemeve, mungesa e serioziteti dhe ndërveprimit, mungesa e komunikimit në instancë të fundit, sepse vërehet qe institucionet mes vete kanë vështirësi në komunikim… Ekziston nevojë urgjente qe të rritet niveli i komunikimit, koordinimit, ndërveprimit institucional me qëllim për të arritur këtë standard”, tha Qelaj./kp
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?