KDI: Aksioni i sotëm dëshmi që Kosova është e zhytur në korrupsion

 

 

Instituti Demokratik i Kosovës  ka vlerësuar se aksioni i sotëm në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë është dëshmi se Kosova është thellë e zhytur në korrupsion dhe se sa të organizuara janë grupet kriminale. të cilat sipas KDI-së, fatkeqësisht kanë arritur të depërtojnë lart edhe në hiearkinë e institucioneve shtetërore.

Tutje nga ky institut kanë thënë se raste të tilla janë edhe një tregues i qartë se pse Kosova në Indeksin Global të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International vazhdimisht humbet pikë, duke ngelur nën mesataren globale e shumë larg mesatares evropiane në perceptimin e korrupsionit.

“Arrestimi i 10 zyrtarëve shtetëror për korrupsion dhe gjetja e parave të gatshme flasin qartë për mungesën e kontrollit mbi fondet shtetërore dhe mundësinë e abuzimit nga zyrtarët shtetëror për përfitime personale apo për përfitim të personave të tjerë. KDI kërkon nga Prokuroria e Shtetit që në afat sa më të shkurtër të veproj në drejtim të mbledhjes së të gjitha provave dhe që sa më shpejtë të vendos para drejtësisë personat e përfshirë. KDI gjithashtu inkurajon qytetarët të cilët kanë qenë viktima të këtyre abuzimeve nga zyrtarë që kanë punuar në Ministrinë e Bujqësisë përkatësisht në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, t’i raportojnë abuzimet apo dëmet e shkaktuara në Prokurori të Shtetit apo Polici”, thuhet në komunikatën e KDI-së./21Media

Back to top button