Kërkohet dënim i merituar për të akuzuarin në rastin e gazetarit Selimi

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit te RTK-së, Alban Selimi.

Nga Prokuroria e shtetit kanë thënë se tashmë është vërtetuar se i akuzuari, Arsim Limani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Prokurorja, Javorka Perlinçeviq ka propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

“Pas procedurës së provave, me analizimin dhe vlerësimin e provave të pranuara padyshim është vërtetuar se tash i akuzuari, Arsim Limani e ka kryer veprën penale vrasje e rënë në tentativë, dhe nga kjo prokuroria propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Dhe se me rastin e caktimit dhe lartësisë së dënimit që ta merr parasysh dëshmitarët qe kanë qenë të propozuar në procedurë dhe që kanë qenë në seancë dhe që të akuzuarit të shqiptojë dënimin adekuat”, tha ajo.

Në anën tjetër, Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i gazetarit, ka thënë se me vënien e zjarrit kishte për qëllim të ndaloj në kryerjen e punës së gazetarit.

Ndërsa, i dëmtuari Alban Selimi, tha se i akuzuari është një recedivist me të kaluar kriminale dhe se gjykata nuk duhet që ta pranoj pendës e tij pasi ajo nuk është e sinqertë.

Ai tha se me këtë sulm i akuzuar ka dashur që të ju marrë jetën atij dhe familjes së tij, derisa shtoi se ky sulm i ka ndryshuar jetën atij dhe familjes së tij.

“I akuzuari, një recidivist me të kaluar kriminale të vërtetuar me aktgjykime të formave të prera po simulon të penduarin pa e pranuar motivin dhe shtytësin e kësaj vepre. Andaj, këtë pendesë gjykata nuk duhet ta pranojë si të sinqertë. Unë tashmë kam hyrë në dekadën e tretë të punës time si gazetar hulumtues dhe redaktor i redaksisë hulumtuese dhe kjo ka qenë ndër ngjarjet më të rënda të përjetuara në karrierën time, pavarësisht rreziqeve nëpër të cilat kam kaluar, duke trajtuar tema mjaft sfiduese dhe sensitive në interes të publikut….Sulmi ndaj meje e posaçërisht ndaj fëmijëve dhe bashkëshortes time, me tentativë vrasjen mizore, nuk më ka bërë kurrë të mendoj se a duhet të vazhdoj të kryej punën time. Porse, ky sulm më ka treguar sa të dobët janë mekanizmat hetues por edhe ata të drejtësisë, të cilët pavarësisht se e sollën të akuzuarin para gjykatës, ky proces u ‘kontaminua’ me ndërhyrje direkte, duke fshehur provat që kanë ekzistuar, prej momentit që i akuzuari mbushë koktejin e molotovit me benzinë, e deri tek momenti kur në kontejnerë afër ambulantes në Fushë Kosovë asgjëson rrobat me të cilat ka kryer krimin”, tha Selimi.

Ai ka kërkuar që i njëjti ta marrë dënimin e merituar.

“Andaj, meqë Gjykata e as organet hetuese nuk kanë arritur të sigurojnë prova se kush është kjo “dorë të fortë” kriminale, unë kërkoj nga ju si trup gjykues që t’i falni besimin Prokurorisë së Shtetit dhe argumenteve të shtjerra në këtë gjykatë e që janë të shumta dhe që vërtetojnë pa asnjë mëdyshje dashjen dhe paramendimin e kryerjes së veprës penale nga i akuzuari”, shtoi Selimi.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Fanol Krasniqi, tha se rasti është i ndikuar kryekëput nga mediat.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi tha se shpallja e aktgjykimit do të mbahet më 15 shkurt në orën 11:30, duke shtuar se prezenca nuk është obliguar.

Back to top button