Kërkohet nga Prishtina dhe Beogradi të angazhohen në gjetjen e të pagjeturve

Qerkini ka apeluar Prishtinën, Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar që të marrin përgjegjësitë për gjetjen e më të dashurve të tyre

Qendra burimore për personat e zhdukur ka apeluar Beogradin dhe Prishtinën si dhe komunitetin ndërkombëtar që të përcaktojnë një përfaqësues të lartë për t’i dhënë fund vuajtjes së tyre me qëllim të zbardhjes së fatit për familjarët e tyre.

Përfaqësuesi i kësaj qendre, Bajram Qerkini, ka deklaruar se familjarët e të pagjeturve nuk do të pushojnë derisa të zbardhet edhe fati i personit të fundit të zhdukur.

“Duam të theksojmë se për ne çështja e të zhdukurve të më të dashurve tanë është ekskluzive çështje humanitare dhe ne nuk do të ndalemi deri sa të zbardhet edhe fati i personit të fundit. Për 18 vite me radhë, çdo ditë është ditë agonie për ne secilin që jemi këtu por edhe ata që nuk janë këtu”, tha ai.

Me rastin e mbajtjes së Konferencës së Gjenevës, e cila do të mbahet më 29-30 qershor, Qerkini ka apeluar Prishtinën, Beogradin dhe komunitetin ndërkombëtar që të marrin përgjegjësitë për gjetjen e më të dashurve të tyre.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur që do të marrin pjesë në Konferencën e Gjenevës janë: Bajram Qerkini, Milorad Trifunoviç, Salih Muhaxheri, Kumrije Karaçeva, Natasha Stepanoviç, Negovan Mavriç.

I pranishëm në këtë takim ishte përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve serbë, Milorad Trifunoviç i cili tha se të gjitha premtimet se do t’i informojnë për çdo zhvillim ishin boshe.

Bajram Qerkini tha se në Konferencën e Gjenevës do të kërkojnë të gjitha dokumentacionet që kanë të bëjnë me personat e zhdukur.

Grupi punues për të zhdukurit kishte paraqitur disa rekomandime për Serbinë, Kosovën, dhe palën ndërkombëtare në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në vjeshtën e vitit 2015./21Media

Back to top button