Kërkohet paraburgim për burrin që vrau gruan në Llaushë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin S.Q., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, si dhe veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë të dorëzuar në Gjykatë, “ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari S.Q., me datë 05 janar 2022 në fshatin Llaushë të Skenderajt, me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij me iniciale L.Q., ashtu që pas një mosmarrëveshje të vazhdueshme me viktimën, ka nxjerrë armën nga xhepi i jaknës dhe ka shtënë gjashtë herë në drejtim të viktimës, të cilën e ka goditur në trup dhe si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin rajonal të Mitrovicës”.
I dyshuari, me vendim të prokurorit, është në ndalim 48 orësh.
Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë./21Media

Back to top button