Kërkohet përjashtimi nga Universiteti i profesorëve Bujar Dugolli e Ardian Kastrati

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) po kërkon që dy profesorëve të ju hiqet titulli akademik i fituar përmes plagjiaturës, si dhe të përjashtohen nga universiteti. Lidhur me këtë kërkesë kjo organizatë ka dorëzuar ankesë për Senatin e Universitetit të Prishtinës (si shkalla e parë ankimuese) mbi vendimin e Këshillit të Etikës (të datës 16.06.2022) për plagjiaturën e profesorëve Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati.
“Vendimi i Këshillit të Etikës thotë që dy profesorët kanë bërë shkelje të rëndë të të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore, si dhe kanë shkelur standardet e ndershmërisë intelektuale. Për këto shkelje të rënda, Këshilli i Etikës ka propozuar masa qesharake.Dy profesorëve i është dhënë vendimi që: artikulli i plagjiarizuar nuk konsiderohet më punim i botuar nga autori dhe nuk mund të shfrytëzohet për avancim akademik. E për profesor Dugollin kanë vendosur që t’i ndalohet mentorimi i temave të diplomës në nivelet master dhe doktoratë për 2 vite, e profesor Kastratit t’i ndalohet mentorimi në të gjitha nivelet e studimit për tre vite. Vendimi ia ndalon profesorëve shfrytëzimin e punimit (tashmë plagjiat) për avancim akademik. Kjo masë është nul dhe si e tillë nuk mund të konsumohet. Profesorët tashmë e kanë shfrytëzuar këtë punim për avancim akademik, dhe për më tepër profesor Dugolli veçse e ka titullin më të lartë akademik dhe kontratën e përjetshme me universitetin.Vendimi po ashtu referohet mbi Rregulloren për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik, ku thuhet që mund të merret masa “mohim i përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një (1) vit vijues” pasi që shkelja është kategorizuar si e rëndë.”, thuhet në reagimin e ORCA-s
Tutje kjo organizatë konsideron se vendimi i marrë nga Këshilli i Etikës është i pabazuar, ngase masa specifikon elementin e mohimit të përfshirjes në të gjitha nivelet: “për një (1) vit”. Vendimi specifikon “mohimin e përfshirjes në mentorim në të gjitha nivelet” dhe si kohështrirje “tre vite”. “Këshilli i Etikës duke mos pasur mundësi t’i ikte kategorizimit si shkelje e rëndë , ka vendosur të caktojë masën më të lehtë të mundshme nga ky kategorizim, por gjoja duke e “përforcuar” masën e dhënë duke e zgjatur kohën e masës ndëshkimore pa bazë juridike.”, vazhdon reagimi.
Po ashtu ORCA vlerëson se vendimi për mos mentorimin e temave të diplomës për kohë të caktuar nuk është proporcional, si rrjedhojë nuk preventon përsëritjen e veprimit nga anëtarë të tjerë të stafit akademik, përkundrazi është ftesë masive për plagjiaturë. Sipas parimit të përfitimit më të madh secili anëtar i stafit akademik në universitete publike do ta “sakrifikonte” mentorimin e diplomave për tre vite në këmbim të një titulli më të lartë akademik të fituar përmes plagjiaturës.
“Plagjiatura është shkelja më e rëndë akademike. Në të gjitha vendet e botës dhe institucionet kredibile të tyre, plagjiatura përbën fundin e tolerancës disiplinore. Raste të ndryshme në botë, sidomos në vendet e BE-së, të njerëzve me pushtet si ministra a zyrtarë të tjerë të lartë shtetëror, kanë përfunduar me largimin e tyre nga jeta publike dhe heqjen e titujve e gradave shkencore të përfituara”, thuhet në reagim./21Media

Back to top button