Kërkohet punësimi i 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci u ka kërkuar drejtorive komunale të arsimit të nisin procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyrë që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti.
Sipas saj, ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë.
“Në përmbushje të prioriteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta. Tani do të vazhdojmë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojmë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraprarë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna. Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo tutje ka treguar se, vitin 2022 e kanë shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesin të përkushtuar që fëmijëve t’ua lehtësojnë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor./21Media

Back to top button