Kërkohet zgjedhja e presidentit para formimit të qeverisë

 

Zgjedhja e presidentit të vendit po konsiderohet se duhet të ndodhë menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Afatet e shkurtra kohore që i ka Kosova për të qenë me ushtrues detyre të presidentit dhe mundësia për mosarritjen e konsensusit për të parin e shtetit po shihen si rrezik edhe për zgjedhje të reja. Prandaj nga njohësit politikë po kërkohet që presidenti të jetë prioritet para formimit të ekzekutivit të ardhshëm. Por, ka të tillë që vlerësojnë se vendi është ende në kohë, që fillimisht ta konstituojë Kuvendin, më pas të formohet qeveria, e në fund të zgjidhet presidenti.

Arton Demhasaj nga Çohu thotë se pas konstituimit të Kuvendit brenda një ditë mund të zgjedhet presidenti, por edhe të formohet qeveria e re.

“Menjëherë sapo të konstituohet Kuvendi, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje duhet ta krijojë shumicën e nevojshme prej 80 deputetëve për me fillu procedurën për zgjedhjen e presidentit. E më pastaj me vazhdu me formimin e qeverisë, kjo mund të ndodhë edhe brenda një dite. Pasi nëse dështon zgjedhja e presidentit, qeveria formohet kot sepse vendi brenda 45 dite shkon në zgjedhje… 4:30 Kjo në njëfarë mënyrë do të krijonte një klimë që mandati qeverisës dhe mandati i Kuvendit me u përfundu në afatet e përcaktuara kushtetues prej katër vite. Kjo është mënyra më e mirë për me kriju një harmoni të konstituimit të institucioneve”, thotë ai.

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, sipas ligjëruesit të shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri duhet të konsituohet Kuvendi pa vonesa, e më pas për shkak të afateve të shkurta kohore presidenti të zgjidhet, para formimit të qeverisë.

“Së pari duhet të certifikohen rezultatet, me certifikimin e tyre shpejtë duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës. Në mbledhjet e para pas konstituimit duhet të bëjë zgjedhjen e presidentit, ngaqë ai duhet të jetë i zgjedhur jo më larg se data 6 prill e këtij viti. Prandaj nëse nuk zgjidhet presidenti, vendi shkon në zgjedhje… pra fillimisht është konstituimi i Kuvendit, pastaj votohet për presidentin, e më pas formohet qeveria për shkak të afateve kohore në të cilat gjendemi”, pohon Imeri.

Por ndryshe mendon, Rreze Hoxha-Zhuja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), e cila thotë se fillimisht duhet konstituimi i Kuvendit, më pas formimi i qeverisë, e më pas zgjedhja e presidentit.

“Ajo çfarë do të duhej të ndodhte meqenëse ka përfundua zgjedhjet, të presim certifikimin e rezultateve të finale dhe në bazë të asaj vota popullore të artikulojë një qeveri të re. Mirëpo para kësaj të konstituohet Kuvendi, pastaj qeveria dhe të vijmë tek zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës. Mendojmë që jemi ende në kohë për të arritur që së pari të konstituohet Kuvendi, pastaj Qeveria e më pastaj edhe tek sfida e tretë që është zgjedhja e presidentit”, deklaron ajo.

Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 47 përqind të fuqisë elektorale. Derisa ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe ato të me postë, nuk dihet kur mund të certifikohen rezultatet përfundimtare nga KQZ-ja për t’i hapur rrugë konstituimit të institucioneve.

Derisa, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, mund të ushtrojë këtë post deri më 5 maj, mirëpo procedurat për zgjedhjen e të parit të shtetit, sipas Kushtetutës duhet të fillojnë 30 ditë më herët./kp

Back to top button