Këshilli i Prokurorial i Kosovës iu bën thirrje politikanëve: Kujdes me gjuhën!

Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), ka reaguar lidhur me gjuhën dhe atakimet që po iu bëhen këtij institucioni.
KPK përmes një komunikate ka thënë se gjatë ditëve të fundit, janë duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë “grup dhe kokë kriminale”.
“Kjo gjuhë tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial. KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale”, ka thënë KPK.
Tutje KPK ka theksuar se janë institucion i pavarur kushtetues dhe nuk do t’iu binden interesave politike.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, thuhet në reagim.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka votuar të mërkurën unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Për këtë, zyra e BE-së ka lëshuar të mërkurën një reagim përmes së cilit konsideroi se ishte e habitur dhe e zhgënjyer me përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Ndërsa, të enjten ka reaguar edhe Ambasada amerikane dhe ajo gjermane në Kosovë, të cilat po ashtu e kanë quajtur jo të rregullt procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit./21Media

Back to top button