Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet të hënën lidhur me sulmet ajrore të SHBA-së

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet të hënën për të diskutuar sulmet e SHBA-së në Irak dhe Siri , tha një burim diplomatik për CNN.
Rusia kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, sipas zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, njoftoi më herët të shtunën agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Zakharova tha se sulmet ajrore amerikane “i treguan edhe një herë botës natyrën agresive të politikës amerikane në Lindjen e Mesme dhe shpërfilljen e plotë të Uashingtonit ndaj ligjit ndërkombëtar”.
Në një deklaratë më herët të shtunën, Moska kritikoi SHBA-në për “ngjalljen e konfliktit” dhe mbjelljen e “shkatërrimit dhe kaosit” në Lindjen e Mesme.
Kritikat e Rusisë vijnë teksa ajo zhvillon një luftë rraskapitëse pas pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Hezbollah , grupi i fuqishëm paraushtarak libanez i mbështetur nga Irani, tha në një deklaratë të shtunën se “agresioni i hapur amerikan kundër Irakut dhe Sirisë” kontribuoi në destabilizimin e rajonit dhe demonstroi një shpërfillje të ligjeve humanitare dhe ndërkombëtare.
Hezbollahu është ndër përfaqësuesit iranianë në qendër të frikës për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme, për shkak të përleshjeve të vazhdueshme me trupat izraelite në kufirin në Libanin jugor.
Hamasi , i cili vazhdon të jetë në luftë me Izraelin në Gaza, dënoi gjithashtu sulmet ajrore si një akt “agresioni amerikan” dhe një “përshkallëzim të rëndësishëm”, duke thënë se SHBA kishte vepruar në “shkelje të sovranitetit të dy vendeve arabe”./21Media