Këshilli i Sigurimit i OKB-së rinovon mandatin e misionit në Afganistan për gjashtë muaj

 
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, votoi njëzëri më 17 shtator, për të rinovuar mandatin e misionit të tij politik në Afganistan edhe për gjashtë muaj të tjerë, pas marrjes nën kontroll të vendit nga ana e talibanëve në gusht.
Këshilli i përbërë prej 15 anëtarësh, i kërkoi Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, të raportonte deri në fund të janarit të ardhshëm, për “rekomandimet strategjike dhe operacionale për mandatin” e misionit politik të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Afganistan, i njohur si UNAMA.
Misioni politik i UNAMA-s merret me çështje që lidhen me zhvillimin dhe ndihmën humanitare, por jo edhe me ruajtjen e paqes.
Këshilli i Sigurimit tha se rekomandimet në raportin e Guterresit, duhet të adresojnë “zhvillimet e fundit politike, të sigurisë dhe ato shoqërore”, pasi që Qeveria afgane e mbështetur ndërkombëtarisht, u rrëzua dhe u zëvendësua nga një qeveri kujdestare e udhëhequr nga talibanët.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit u bëri thirrje gjithashtu talibanëve të krijojnë “një qeveri gjithëpërfshirëse dhe përfaqësuese” për të zëvendësuar qeverinë e tyre të përkohshme.
Ai tha se talibanët duhet të formojnë një qeveri me “pjesëmarrje të plotë, të barabartë dhe kuptimplote të grave dhe të mbrojë të drejtat e njeriut, përfshirë gratë, fëmijët dhe pakicat”.
Qeveria e përkohshme e udhëhequr nga talibanët, përbëhet vetëm nga grupet e ashpra të talibanëve, kurse Departamenti i Çështjeve të Grave është shpërbërë, tha javën e kaluar i dërguari special i OKB-së për Afganistanin.
Në fakt, nga 33 të emëruar nga talibanët javën e kaluar, 30 janë figura talibane etnikisht pashtune.
Kishte vetëm dy të emëruar të etnisë taxhike dhe vetëm një të etnisë uzbeke. Qeveria e udhëhequr nga talibanët nuk është njohur nga asnjë vend.
Rezoluta e miratuar më 17 shtator, thotë se OKB-ja do të vazhdojë të luajë një “rol të rëndësishëm” në promovimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan.
Diplomatët thanë se talibanët nuk kanë kundërshtuar që mandati i UNAMA-s të rinovohet./Rel

Back to top button