Këta janë gjykatësit që do ta gjykojnë ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafën

 

Kryetaja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova caktoi gjykatësit: Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti dhe Vladimir Mikula (rezervë) në Trupin Gjykues I, në rastin e ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Ky caktim, siç informuan Dhomat e Specializuara, u bë pas njoftimit prej Gjykatësit të Procedurës Paraprake se dosja e plotë e çështjes Prokurori i Specializuar k. Salih Mustafës (KSC-BC-2020-05) do të jetë gati për t‘iu kaluar Trupit Gjykues më 7 maj 2021.

“Në pajtim me rregullën 116 dhe rregullën 117 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, pas marrjes së dosjes së çështjes, Trupi Gjykues mban pa vonesë një konferencë përgatitore për gjykimin me palët, pas së cilës përcakton afatin për mocionet që mund të dorëzohen prej tyre para nisjes së gjykimit.”, u bë e ditur në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Çështja kundër Salih Mustafaës, sipas njoftimit, është e para që do t‘i kalohet një trupi gjykues.

Ndryshe, ish-eprori i UÇK-së, Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Gjykata Speciale. Më 28 shtator 2020, ai nuk ka pranuar të deklarohej për akuzat që lidhen me kinse krime lufte në Kosovë. Më 28 tetor, ish-eprori i UÇK-së është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja. Kurse, më 23 nëntor, gjykata ka vendosur që Mustafës t’i vazhdohet paraburgimi./21Media

Back to top button