Komunat më transparente në Kosovë

Komuna e Gjakovës dhe e Prishtinës prijnë në transparencë ka vlerësuar organizata jo-qeveritare EC MA NDRYSHE

EC Ma Ndryshe ka publikuar Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale, në kuadër të cilit janë pasqyruar rezultatet për 13 grupe indikatorësh relevantë që tregojnë nivelin e transparencës gjatë vitit 2016 në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, si dhe Rahovecit, Vushtrrisë, Malishevës, Suharekës, Klinës, Dragashit, Shtërpcës dhe Mamushës.

Indeksi është lansuar gjatë konferencës, ku panelistët Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Komunës së Gjakovës, Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës dhe Xhemali Haxhimustafa, nënkryetar i Komunës së Rahovecit kanë prezantuar pikëpamjet e tyre rreth transparencës në komunat respektive, por edhe kanë marrë pjesë në diskutime me pjesëmarrësit, që kanë qenë përfaqësues të pushtetit lokal nga komuna të ndryshme, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, etj.

Në Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale për vitin 2016 figuron se Komuna e Prishtinës dhe ajo e Gjakovës përbëjnë grupin e parë të komunave transparente me 66 për qind të vlerësimit të përgjithshëm, pastaj radhiten Peja e Gjilani me 51 përkatësisht 50 për qind, të pasuara nga Mitrovica me 47 për qind, Ferizaj 43 për qind e Prizreni 39 për qind.

Te komunat që nuk janë qendra rajonale prijnë Rahoveci dhe Vushtrria me 48 për qind, pastaj Malisheva me 43 për qind, Suhareka 42 për qind, Klina 41 për qind, Shtërpca 37 për qind, Dragashi 31 për qind dhe Mamusha me 26 për qind.

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka pohuar se kryetarëve të komunave në vitin e tyre të katërt të qeverisjes u mbetet të reflektojnë mbi transparencën dhe llogaridhënien dhe hapat që kanë bërë në këtë drejtim. Ajo ka porositur që qëndrueshmëria e praktikave të aplikuara për transparencë të vijojë edhe pas zgjedhjeve lokale ashtu që të mbahet komunikimi i hapur me qytetarët dhe OJQ-të.

Ndërsa Dardan Sejdiu, nënkryetar i Komunës së Prishtinës ka theksuar se qytetarët mund të jenë hisedarë në qeverisjen komunale vetëm nëse informohen drejtë dhe saktë për politikat dhe vendimmarrjen në pushtetin lokal.

Xhemali Haxhimustafa, nënkryetar i Komunës së Rahovecit ka shprehur qëndrimin se gatishmëria e të parit të komunës për llogaridhënie luan rol të rëndësishëm në reformimin e transparencës së Komunës.

 

Projektin “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale”, EC Ma Ndryshe e ka iniciuar nga maji i vitit 2015 dhe i njëjti ka shtrirje në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, pastaj Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë, Shtërpcë, Vushtrri dhe Klinë. Projekti në fjalë ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre./21Media

Displaying Online transparency.jpg

 

Back to top button